Numri i viktimave të një zjarri në një pikë karburanti në rajonin jugor rus të Dagestanit është rritur në 30 persona, duke përfshirë tre fëmijë, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax herët në mëngjes, duke cituar shërbimet mjekësore rajonale të urgjencës.
Një zjarr shpërtheu në një dyqan riparimi veturash në anë të një autostrade në kryeqytetin e Dagestanit, Makhachkala të hënën mbrëma, duke shkaktuar shpërthime që u përhapën në një pikë karburanti aty pranë, thanë zyrtarët.
Pamjet e postuara në internet tregojnë një ndërtesë njëkatëshe në flakë, raportoi Reuters TV. Është si një luftë këtu, tha dëshmitari.
Numri i të lënduarve është rritur në 100, nga të cilët 10 janë në gjendje kritike, njoftoi agjencia e lajmeve RIA duke cituar zëvendësministrin rus të Shëndetësisë, Vladimir Fisenko.
Trembëdhjetë nga të lënduarit janë fëmijë, njoftoi Interfax, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë së Dagestanit.
Zjarrfikësve iu deshën më shumë se tre orë e gjysmë për të shuar zjarrin, i cili u përhap në një sipërfaqe prej 600 metrash katrorë, raportoi TASS, duke cituar një deklaratë nga shërbimi rus i urgjencës.