Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, në protestën e veteranëve të UÇK-së, i është drejtuar Qeverisë që t’i kthehet popullit e t’i “lejë përrallat”.
Veteranët kanë protestuar të shtunën pasi janë lënë jashtë Ligjit për pagën minimale dhe pas audio-incizimeve ku Mimoza Kusari-Lila flet me Sllavko Simiqin për veteranët, raporton Ekonomia Online.
Qerkini, mes tjerash, tha se nëse kërkesat e veteranëve nuk plotësohen, kjo protestë do të jetë e vogël, krahasuar me atë së çfarë do të ndodhë.
“Ky pushtet sikur gjakpirësat e viteve 1998/99. Ku janë ata që ia dhanë mbi 50%, le të dalin qetu përpara. Rrini të fortë veteranë, folni qysh kena me punu. Kjo është e vogël çka kena me ba nëse nuk iu hinë në vesh atyne”, tha ai.
“Unë e di se krejt Kosova është për liri. Ju jeni veç me rrejt e me mashtrua. Rehatojeni këtë popull. Ai që është mos me rehatua popullin, mos u rehatoftë në jastëkun që flenë”.
“Kemi dalë në këtë protestë njerëzore që t’i tregojmë politikës se nuk e keni mirë. Kthehuni popullit e leni ato përralla se nuk shiten më”.
“Nuk mundesh me i rrejt më ata që i ke rrejt para 2 vjetësh, o kryeministër! Kjo protestë është e vogël, në krahasim me çfarë do të ndodhë”.
“A ju vjen marre, a iu ka ardh gjynah në parlament mos me e çu dorën për një pagë mesatare të Republikës së Kosovës njeriu që ka dalë ta japë jetën për liri. Nuk ka askund në botë më marre. Unë nga shpirti po them lus të gjithë ta dini se çka është liria dhe çka kemi dhënë, s’ka shtëpi që s’ka dhënë gjak për këtë liri”, u shpreh tutje ai.
Protestuesit kanë bërtitur “Poshtë Qeveria” e “UÇK”.




