Edhe pronësia e “Art Motion” është e regjistruar në Maqedoni me dokumente “Peç Serbia” si investim i huaj nga Serbia…!

Pas hulumtimit për pronësinë e Klan Kosova shpk, www.kosovanews.net ka vazhduar me hulumtimin e një kompanie tjetër që lidhet me vëllezërit Devolli.

Kompania ArtMotion, e cila rrufeshëm gllabëroi rrjetin kabllor të internetit dhe të përmbajtjeve televizive, në veçanti ato sportive, duke e monopolizuar tregun tashmë në gjithë Kosovën.

Art Motion Sh.P.K, kompani që  mendohej të jetë në pronësi të vëllezërve Devolli, pas hulumtimit të KosovaNews, e vërteta në bazë të fakteve dhe dokumenteve del të jetë krejt ndryshe, në fakt është SHOKUESE.

Në qindra faqe dokumente të nxjerra në institucionet e Republikës së Kosovë dhe të Maqedonisë Veriore, pronësia e Art Motion Sh.P.K është gjithashtu e ndërlikuar dhe me pronar fiktiv.

Në bazë të hulumtimit që kemi bërë, të dhënat për pronarët duket se janë bërë me qëllim të koklavitura, për të mos u kuptuar, por pasi zbulojmë pronësinë e vërtetë të dhënat e pronarit të vërtetë dalin të jenë skandaloze.

Sipas të dhënave të ARBK-së, kompania që e ka në pronësi Art Motion SH.P.K është një kompani tjetër e regjistruar në Kosovë, pra  AM Invest Group SH.P.K, ndërsa pronare e kësaj kompanie është një tjetër kompani  “am invest group holding” dooel.  Në webfaqen e ARBK-së, përveç emrit, nuk ka asnjë të dhënë se prej nga është kjo kompani, pra nuk dihen shteti, adresa, pronari etj. dhe pikërisht këtu edhe “fle lepuri”.

Skema e pronësisë së Arta Motion kalon në Maqedoni e regjistruar me pasaportë serbe

Kosovanews ka zbuluar se kjo kompani është e regjistruar në Maqedoninë Veriore. Në bazë të fletëregjistrimit që e kemi nxjerrë nga Regjistri Qendror i Bizneseve në Maqedoninë e Veriut, kompania “am invest group holding” dooel është e regjistruar si kompani hollding, me pronar me pasaportë të Serbisë dhe ku paraqitet si investim i huaj nga SERBIA! Po, po, nga Serbia dhe si pronar i vetëm figuron te jetë z. Valon Shala, me adresë të vendbanimit: “Ul. Leke Dukadjini br 33-1 Peç, Država: Srbija”, pra e përkthyer në shqip: “Rruga: Lekë Dukagjini nr.33-1, Shteti: Serbia”.

Ndërsa në Kosovë, sipas të dhënave publike në webfaqen e ARBK-së, si drejtor i ArtMotion figuron z. Valon Shala, edhe pse në bazë të dokumenteve që kemi siguruar ne, por edhe në webfaqen e Art Motion, LinkedIn drejtor është z. Kushtrim Gojani, i cili në bazë të hulumtimit të kaluar që ka bërë KosovaNews është pronar i vërtetë i kompanisë që e ka në pronësi Klan Kosova shpk.

Por, si dhe pse kaloi pronësia e kompanisë Art Motion nga Kosova në Maqedoni, ku u regjistrua në pronësi me dokumente të Serbisë?

Sipas historiatit  të pronësisë së “ArtMotion”, të siguruar nga KosovaNews përmes qasjes në dokumente publike, ArtMotion kishte qenë një operator kabllor lokal dhe ishte e regjistruar në ARBK në vitin 2002 si Biznes Individual, me pronar z. Muharrem Hajredini. Më datë 03.07.2017, “ArtMotion” BI blihet nga kompania “AM Invest Group” shpk (NRB: 71356337), ku sipas të dhënave drejtor është z. Valon Shala nga Peja.

Historiati i Art Motion

Më dt. 05 korrik 2017, komfor një kontrate për dhurim të aksioneve, z. Valon Shala nga Peja, 100% të aksioneve të “ArtMotion” shpk ia dhuron shoqërisë kosovare “AM Invest Group” shpk (NRB: 71356337), tek e cila ai është drejtor, gjithashtu.

Paraprakisht,  më 26 janar 2017, z. Valon Shala kishte themeluar në Maqedoninë Veriore në Shkup  një  sh.p.k -njëanëtarëshe “AM Invest Holding” DOOEL. Në fletëregjistrimin, të cilin e ka nxjerre KosovaNews nga Regjistri Qendror i Bizneseve të Maqedonisë së Veriut, thuhet se ky është një investim i huaj, kurse adresa e themeluesit dhe pronarit figuron: “Ul. Leke Dukagini br.33/1, Pec, Srbia (?!)” Kurse, email-adresa për kontakt e pronarit, në shikim të parë duket si Euro-Lab (që lidhet me homologimin në Kosovë), por që domeni i këtij emaili te drejton te një firmë gjermane, me pronarë turq.

Më datë 01 shkurt 2017, Valon Shala, pronar i vetëm i  kompanisë së regjistruar në Maqedoninë e Veriut  “AM Invest Holding” DOOEL, paraqet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë vendimin për themelimin e një shoqërie në Kosovë – “AM Invest Group” shpk, me seli në Prishtinë. Njëherësh pranon që vetë si individ të jetë drejtor dhe agjent i regjistruar i kësaj shoqërie në Kosovë. Pra, siç e thamë më lart, z. Valon Shala më pastaj më datë 05 korrik 2017, 100% të aksioneve të “ArtMotion” shpk ia dhuron shoqërisë kosovare “AM Invest Group” shpk, e cila është në pronësi të shoqërisë maqedonase “AM Invest Holding” DOOEL.

Praktikat ligjore pranë ARBK i ka kryer një avokate e  shoqërisë së avokatëve “SCLR Partners”, që i kishte ndjekur praktikat e regjistrimit edhe për Klan Kosova shpk, kur pronësia kishte kaluar nga një shoqëri maqedonase e regjistruar me dokumente të Serbisë në British Virgin Islands, një shoqëri që menaxhohej nga një avokat grek nga Qipro Marinos Stylianides, e që i njëjti ua menaxhonte kompanitë e Braça Kariçëve të Pejës dhe familjes së diktatorit Llukashenko të Bjellorusisë.

Certifikata pronarit të Art Motion e përkthyer dhe e dorëzuar në ARBK

Të gjitha këto dokumente janë pranuar edhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Republikën e Kosovës. Pra, certifikata e pronësisë, e nxjerrë nga Regjistri Qendror i Maqedonisë Veriore, e kompanisë “AM Invest Holding” DOOEL, me pronar z. Valon Shala , kompani e cila aktualisht e ka në pronësi kompaninë Art Motion, e ku  të dhënat e pronarit figurojnë se është shtetas i Serbisë, me adresë “Peç, Serbia”. Pranimi i këtyre dokumenteve në institucionet e Republikës së Kosovës shkel haptas Kushtetutën dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Për të gjitha këto gjetje ne i kemi dërguar pyetje u.d. të kryeshefes së ARBK-së, znj. Pranvera Prestreshi, e pyetur se në bazë të cilit ligj, cilit nen të ligjeve të Republikës së Kosovës janë pranuar këto dokumente në ARBK? Kush janë zyrtarët që janë të përfshirë në këtë skandal, ku janë shkelur Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Ashtu si në rastin e Klan Kosovës, në përgjigjen e dhënë më 12 qershor për KosovaNews, znj. Prestreshi thotë: “Pyetjet e juaja drejtuar ndaj  zyrtarëve të ARBK-së tejkalojnë kompetencat e mija për të dhënë mendime lidhur me legjitimitetin e dokumenteve personale të individëve të caktuar. Personat e apostrofuar nga ana e juaj kur kanë aplikuar për regjistrim të biznesit në ARBK janë paraqitur si person juridik,  i cili ka pasur regjistrim në një shtet tjetër dhe i cili shtet ka legjislacionin e vet për regjistrim, andaj me siguri dokumentacioni i tyre personal për atë shtet ka qenë valid (meqë është bërë një regjistrim i tillë)”.

Por kush është në fakt pronari  i provajderit më të madh në Kosovë, ArtMotion?  

Ashtu si në rastin e “Klan Kosovës”, në qindra faqe materiale të siguruara dhe të nxjerra  nga institucionet e Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore, çuditërisht askund nuk figuron emri i biznesmenit Shkëlqim Devolli, edhe pse i gjithë opinioni e di që kjo kompani është blerë nga Devollët që nga viti 2017. Në bazë të të dhënave zyrtare, pronari “me letra” i ART Motion është z. Valon Shala nga Peja. Sipas burimeve të KosovaNews, z. Shala punon si menaxher i marketingut dhe shef i distributoreve në Princ Caffe, edhe kjo kompani po supozojmë që është në pronësi të Devollëve… Në bazë të të dhënave dhe adresave që ka prezantuar z. Shala në ARBK, ne kemi tentuar të kontaktojmë disa herë me të, mirëpo kontakti ka qenë i pamundur.

Sipas të dhënave në Linkedin , ky është profili i Valon Shalës edhe këtu i mungon fotografia…ndërsa kosovanews i ka bërë një printcreen profilit të tij në facebook javë ndërsa sot profili i tij në fb rezulton i mbyllur…