Kryeministri Albin Kurti ka pritur të dielën në takim një delegacion shumëpartiak të deputetëve të Parlamentit të Austrisë, anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Kosovën, të shoqëruar nga ambasadori i Austrisë në Prishtinë, Christoph Weidinger.
“Bashkë me kryeministrin Kurti, i cili mirëpriti këtë takim që i shërben fuqizimit dhe sinkronizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, ishte edhe nënkryetarja e Grupit Parlamentar të Miqësisë me Austrinë në Kuvendin e Kosovës, deputetja Tinka Kurti”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në këtë takim Kurti ka folur për situatën në veri, duke thënë se është e vështirë për shkak të Serbisë, e cila “të mërkurën kreu akt agresioni mbi Kosovën, kur njësitë ushtarake e policore të Serbisë rrëmbyen tre policë të Kosovës në brendi të territorit të Republikës së Kosovës”.
Qeveria njofton se kryeministri ka ndarë me deputetët dëshmitë që “tregojnë qartë shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, të bëra publike në konferencën e përbashkët me ministrin Sveçla”.
“Në lidhje me ngjarjen e ditës së mërkurë, ai shtoi se faktori ndërkombëtar duhet të reagojë dhe ta dënojë ashpër sjelljen dhe veprimin e Serbisë, duke i ftuar edhe deputetët që ishin prezentë, dhe të kërkohet lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve nga Kosova”, thuhet në komunikatë.
Ai gjithashtu thuhet se i ka falënderuar deputetët austriakë për vizitën dhe i ka njoftuar me qeverisjen dy vjeçare dhe mbi zhvillimet e fundit, me theks te progresi ekonomik dhe demokratik, dhe te situata në katër komunat në veri të vendit.








