Në Kosovë mbeten 20 pacientë të prekur nga koronavirusi. Sipas mjekëve të Klinikës Infektive, gjendja shëndetësore e tyre është stabile. Ministri i Infrastrukturës Lumir Abdixhiku njoftoi se 39 kosovarë të ardhur nga Stambolli janë vendosur në karantinë.
Në Serbi numri i të infektuarve nga koronavirusi ka shkuar në 97. Në Bullgari nga ana tjetër janë regjistruar 277 raste të të infektuarve. Sofja zyrtare ka vendosur të ndalojë hyrjen në vend të qytetarëve nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Ndalimi i mëparshëm i hyrjes në Bullgari për personat që vijnë nga shtete anëtare të BE-së dhe vendet e Shengenit mbetet në fuqi. Ndalimi nuk vlen për shtetasit bullgarë dhe familjarët e tyre dhe personat që banojnë në Bullgari me një leje qëndrimi më të gjatë ose të përhershme.
Italia ka paralajmëruar zgjerimin e masave të izolimit, të ndërmarra më 10 mars, për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të viktimave. Numri i të vdekurve në Itali nga koronavirusi është duke iu afruar shifrave në Kinë – vendin ku ka shpërthyer sëmundja vitin e kaluar. Deri sot, Italia ka mbi 2,900 persona të vdekur.
Ministria e Shëndetësisë së Spanjës njoftoi se në 24 orët e fundit, 209 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi i ri, duke ngritur bilancin e përgjithshëm në 767. Deri më tani, 17,147 njerëz janë sëmurë në Spanjë.
Banka Qendrore Evropiane aktivizoi një paketë të ndihmës, në vlerë prej 750 miliardë eurosh, për të lehtësuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit. Me këto mjete do të paguhen borxhet e qeverive dhe kompanive në vendet e Eurozonës.
Duke e përshkruar veten si “president të kohës së luftës”, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se SHBA-ja do të arrijë fitore të plotë kundër koronavirusit.
Donald Tramp, President i SHBA-së
“Duhet të sakrifikojmë së bashku, sepse të gjithë jemi bashkë në këtë situatë dhe do t’ia dalim bashkë. Është një armik i padukshëm, por ne do ta mposhtim atë. Mendoj se do ta mposhtim edhe më shpejt seç kemi menduar dhe do të jetë një fitore e plotë”
Shtetet e Bashkuara kanë mbi 9,300 njerëz të infektuar me koronavirusin që shkakton sëmundjen COVID-19. Deri më tash, 150 pacientë atje kanë humbur jetën.
Kina, ku koronavirusi është paraqitur për herë të parë, ka konfirmuar se të mërkurën nuk ka pasur asnjë rast të ri të brendshëm, për herë të parë prej se ka nisur shpërthimi i sëmundjes në dhjetor të vitit të kaluar. Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë ka thënë po ashtu se nuk ka asnjë rast të infektimit në Vuhan, qytetin që ka qenë epiqendër e shpërthimit.