Në Shkup janë vjedhur 3 trotinetë elektrikë! Durak: E dimë ku janë trotinetët

-Para dy javëve këta trotinet elektrik u lëshuan në përdorim si një alternative e transportit që do ta lehtësonte dhe përshpejtonte lëvizjen e qytetarëve të Shkupit duke pas parasysh trafikun e dendur në kryeqytet, por jo të gjithë qytetarët po përdorin ato me ndërgjegje dhe përgjegjësi, raporton Valmira Zendeli, gazetare e TV21.

Në rrjetet sociale kanë vërshuar fotografi me trotinetet elektrikë të dëmtuar. Qytetarë të ndryshëm kanë publikuar fotografi ku shihen trotinete që kanë përfunduar në kontejnerë të mbeturinave,  nën urë në parkun e Qytetit e një trotineti tjetër ia kanë hequr pajisjen elektronike.

Shtrohet pyetja se sa trotinete të tillë janë dëmtuar, sa trotinetë  janë të vjedhur dhe a do të ketë përgjegjësi për qytetarët e pandërgjegjshëm që i kanë dëmtuar?

Për këtë iu drejtuam vetë menaxherit të kompanisë “BinBin” Visar Durak, i cili na tha se vet sistemi i trotineteve tregon se cdo trotinet ku ndodhet dhe momenti kur dikush tenton ta keqperdorë ajo në sistem alarmon dhe ekipet shkojën deri në vendin e ngjarjes për ta evidentuar problemin

 “Deri tash i kemi 3 trotineta të cilat janë të vjedhur edhe pse të dhënat të gjitha i kemi si ku është trotineti, ku ka qenë vendndodhja kur është marrë. Është paraqit në stacionin policor me të gjitha detajet, me foto, video dhe besoj se organet do ta zgjedhin problemin”, tha Visar Durak, menaxher i kompanisë “BinBin”

Një qytetar ka ngrirtur edhe një shqetësim në lidhje me trotinetët elektrik. Nëpërmjet Facebook-ut ka shkruar se vajza e tij ka përdorur shërbimin me trotinetin dhe edhe pse ka shtypur butonin që t’i jap fund vozitjes, aplikacioni nuk ka funksionuar si duhet dhe ka vazhduar t’i marrë para nga llogaria bankare.

 “Në momentin që e kemi marrë lajmin, menjëherë e kemi kontaktuar personin edhe pse vetë sistemi kur mundoheni ta bëni “end ride” pra kur mundoheni ta ndalni vozitjen vetë aplikacioni e njeh se ju nuk e vozisni më dhe e këni lënë. Nëse vazhdojnë mjetet të ecin vetë sistemi pas një kohë ua rifundon mjetet. Personi që e kemi kontaktuar, ky ka qenë shqetësimi i tij dhe mjetet atij i janë kthyer”, pohoi Visar Durak, menaxher i kompanisë “BinBin”.

Durak thotë se trotinetet BinBin janë prezent në 84 qytete tjera në gjithë Europën dhe gjëra të tilla i kanë pritur edhe në Shkup. Ndërkaq mbi 500 trotinete elektrik gjenden në 19 lokacione të ndryshme në Shkup. Të njëjtat do të mund t’i shfrytëzojnë edhe turistët që vijnë në vend./TV21