Rreth 80.000 banorë të BE-së janë jashtë Unionit

Rreth 80.000 banorë të Bashkimit Evropian janë jashtë territorit të Unionit dhe presin që të kthehen në shtëpi pasi është vendosur kufizim i përkohshëm i hyrjes për shkak të pandemisë me koronavirusin e ri, deklaroi mbrëmë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Sano.

Ai shtoi se është e vështirë të përcaktohet numri i saktë i njerëzve që presin të kthehen në shtëpi dhe u bëri thirrje atyre t’i kontaktojnë konsullatat në vendet në të cilat ishin vendosur.

Përveç kufijve të jashtëm të BE-së, ka probleme edhe në kufijtë e brendshëm. Më shumë se një mijë banorë të Baltikut kanë ngecur në kufirin gjermano-polak, që kur Varshava e kufizoi hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e saj.

Në kufirin austriako-italian autoritetet i lejojnë gjermanët të cilët kthehen nga Italia nëse kanë karburant të mjaftueshëm për ta kapërcyer Austrinë pa ndaluar, ndërsa nga qytetarët nga vendet e tjera kërkojnë konfirmim mjekësor se nuk janë të infektuar me Kovid-19.