1 vjet e 3 muaj burg për anesteziologun që shpërndau video në TikTok

Anesteziologu Valton Dervishi nga Gjinekologjia e Tetovës që shpërndau video në TikTok u dënua me 1 vjet e 3 muj burg. Në Gjykatën Themelore të Tetovës sot filloi gjykimi, pasi ai incizoi dhe publikoi drejtpërdrejt video në TikTok të pacienteve nga Gjinekologjia e Spitalit të Tetovës. Ai e pranoi veprën e kryer dhe për të njëjtën kërkoi falje, shkruan Portalb.mk.

Dervishi i pyetur nëse i kupton veprat për të cilat akuzohet, tha se e kupton akuzën.

“I pranoj veprat penale dhe pendohem për atë që kam bërë”, tha Dervishi i cili sqaroi se nuk ka qenë më parë i akuzuar.

Më pas u thanë fjalët përfundimtare.

Nga ana e Prokurorisë ku deklaruan që gjyqi të merr parasysh gjendjen faktike, të shihen të gjitha rrethanat tjera dhe të merret parasysh se i akuzuari e pranoi veprën.

Avokati Dragisha Ivanovski, theksoi që të shihen të gjitha rrethanat lehtësuese që parashihen.

Ndërkaq, anesteziologu tha se pajtohet me atë që deklaroi avokati i tij dhe kërkoi falje me arsyetimin se veprën nuk e ka bërë me tendencë dhe për ndonjë përfitim. Ai tha se në paraburgim e ka të vështirë për shkak të gjendjes shëndetësore.

Më pas gjykatësi Nazif Ilijazi njoftoi se vendimi do të shpallet sot në ora 11:30.

Të pranishëm në seancën gjyqësore ishin dëshmitaret Daniella Simjanovska, MeralRexhepi dhe Luljeta Rexhepi. Ndërsa munguan dëshmitarët Pëllumb Vela dhe Sezgin Dervishi. Mirëpo ata nuk u morën në pyetje pasi Dervishipranoi veprën.

Anesteziologu akuzohet për veprat penale  “Punë e pandërgjegjshme në shërbim” (neni 353-v, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1) si dhe “Incizim i paautorizuar”  (neni 152 paragrafi 2) nga Kodi Penal.

Për këto vepra, sipas Kodit Penal, ai mund të dënohet nga tre muaj deri në pesë vjet burg.

Dervishi, i punësuar si anesteziolog në Spitalin e Tetovës ka shpërndarë video të drejtpërdrejtë (live) në TikTok nga reparti i Gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës, ku shiheshin pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore si dhe personel mjekësor.

Më 14 mars nëpunësit policor arrestuanDervishin (43) duke vepruar pas paraqitjes nga ana e drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, për veprën e kryer.

Fillimisht atij iu caktua masë paraburgimi prej tetë ditësh, ndërkaq më pas paraburgimi iu vazhdua edhe për 30 ditë.

Anesteziologu pas këtij rasti u përjashtua nga puna. Ndërkaq Oda e Mjekëve ia mori licencën për shtatë vjet.