Zaimi: S’është problem shpifja, sa është tërheqja e masave drejt analfabetizmit

Shkruan: Arbër Zaimi 

S’është problemi i mediave moderne fake-newsi dhe shpifja, por tërheqja e masave drejt injorancës.

Shpifja gjithnjë ka ecur shumë më shpejt se e vërteta, shpifja gjithnjë ka qenë “wireless”. E vërteta, qoftë ajo dhe thjesht e anshme, e imja a e jotja, lyp kohë, punë, thellim, për të mos e marrë si dogmë.

E pikërisht mungesa e kohës, punës dhe e thellimit janë karakteristikë e mediave moderne. Imagjinoni, duhet të mbushin përditë faqet e tyre në internet dhe programet e tyre televizive me “lajme ekskluzive” dhe me “njerëz të famshëm”. I gjithë kombi shqiptar në një muaj i prodhon apo nuk i prodhon 10 befasi, ndërsa njerëz të famshëm ”me arsye” kemi ndoshta aq sa për të mbushur ndonjë emision të dielën. Por, ja që dhjetëra portale e televizione kërkojnë përditë, papushim breaking-news dhe njerëz famozë.

Kjo detyrimisht çon në situatën kur shitet si lajm befasues e zakonshmja, shitet si i famshëm dhe i veçantë njeriu i rëndomtë. Në vend se t’i jepet platforma artistit, shkencëtarit, intelektualit, politikanit, sportistit, i jepet komentatorit, llafexhiut të papërgjegjshëm që “ia merr mendja” nga banaku i mejhanes apo i studios, dhe vip-it të big-brotherit. Në vend se të ndiqen me vëmendje e hulumtime lajmet dhe ngjarjet e rëndësishme (të rralla siç janë) ndiqen përditë qindra jo-lajme të paketuara si “breaking”. Kjo gjë e çedukon publikun, ia topit atij shqisat, ia pamundëson kujtesën dhe ia mpin mendjen.

Prandaj nuk është vetëm shpifja problemi.