David Beckham ishte i pranishëm në terrenin stërvitor të Paris Saint-Germain për të takuar lojtarët dhe stafin e ish-klubit të tij gjatë një vizite në Paris të enjten.
Beckham, që njëherit është pronar i klubit të MLS, Inter Miami është takuar edhe me Lionel Messin.
Fotografi nga takimi i Beckham me Messin i ka publikuar Paris Saint-Germain në faqen zyrtare.
Mediat e huaja kanë spekuluar për një takim mes Messit dhe Beckham, në kohën kur e ardhmja e argjentinasit është në pikëpyetje.
E ardhmja e Messit në PSG ka qenë e paqartë për pjesën më të madhe të sezonit aktual, pavarësisht formës së përmirësuar gjatë sezonit të tij të dytë në Parc des Princes.
Që nga kthimi nga triumfi i tij në Kupën e Botës, bisedimet për kontratën janë ngadalësuar dhe tani pritet që ai të largohet falas nga klubi këtë verë.
Inter Miami i Beckhamit është vlerësuar prej kohësh si një destinacion i mundshëm, duke e bërë edhe më interesante një vizitë në ish-klubin e tij, por edhe Barcelona pritet të bëjë gjithçka që mundet për ta rikthyer argjentinasin në klub.




