Mbrëmjen e së premtes, Lazio hodhi një hap më shumë drejt blindimit të vendit të dytë në kampionat teksa mposhti në transfertë me shifrat 0-3, Spezian. Një rezultat që i afron bardhekaltërit me pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm që është edhe objektivi i vetëm që ju ka mbetur kryeqytetasve në këtë fazë të fundit. Megjithatë, trajneri Maurizio Sarri ndjen se skuadra e tij mund të kishte arritur më shumë nëse do të kishte një organikë më të pasur.
Në konferencën pas sfidës me Spezian, tekniku 64-vjeçar theksoi se nëse do ta kishte në dorë atëherë do të kërkonte nga 11 lojtarë për secilin kompeticion. Pak a shumë shtoi trajneri napoletan, ashtu siç bën Pro Recco një skuadër e waterpolit në Itali. Por, kaq mjaftoi që klubi i Pro Reccos t’i kthejë një përgjigje mjaft thumbuese Sarrit duke u shprehur se ai është nga ata trajnerë që ka mbetur shumë mbrapa.
“I dashur Maurizio, ke mbetur 10 vite mbrapa. Ne kemi 16 lojtarë në organikë, më pak nga sa trajnon ti. Megjithatë, na mjafton që të mos eliminohemi nga Europa në muajin mars”, shkruhej në komunikatën e Pro Reccos.




