ShBA-ja vendos sanksione ndaj bankës ruse në Budapest

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj tre zyrtarëve të lartë të Bankës Ndërkombëtare të Investimeve të kontrolluara nga Rusia në Budapest, pasi ajo tha se Hungaria kishte injoruar shqetësimet e ShBA-së mbi “platformën e errët të Kremlinit”.

Tre emrat e shtuar në listën e sanksioneve të ShBA-së janë shtetasit rusë Nikolay Kosov, ish-kryetari i bankës dhe Georgy Potapov, si dhe shtetasi hungarez Imre Laszloczki, dy zyrtarë të lartë në bordin drejtues të IIB-së.

Pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, Bullgaria, Republika Çeke, Rumania dhe Sllovakia përfunduan pjesëmarrjen e tyre në IIB. Qeveria hungareze nuk mori asnjë masë kundër bankës, e cila zhvendosi operacionet në Budapest në vitin 2019, shkruan Al Jazeera, përcjell Klankosova.tv

“Ne jemi të shqetësuar për dëshirën e vazhdueshme të liderëve hungarezë për të zgjeruar dhe thelluar lidhjet me Federatën Ruse pavarësisht agresionit brutal të vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës dhe kërcënimit për sigurinë transatlantike”, tha ambasadori i ShBA-së në Budapest David Pressman në një konferencë shtypi në Budapest pas njoftimit.