Osmani për Masakrën e Likoshanit e Qirezit: Kujtimi për të rënët nuk zbehet kurrë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka kujtuar 25-vjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit të Drenicës.

Osmani tha se kujtimi për të rënët nuk zbehet kurrë.

“Nuk do të ndalemi derisa drejtësia të vendoset dhe autorët të marrin dënimin e merituar. Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët në masakrën e Likoshanit dhe atë të Qirezit!”, tha Osmani.

E para e vendit tha se Likoshani e Qirezi, intensifikuan luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo ditë tmerri shënoi fillimin e vrasjeve masive të shqiptarëve nga ana e regjimit gjenocidal të Serbisë në vatrën e rezistencës, në Drenicë. Kjo intensifikoi edhe më luftën tonë çlirimtare të djemve dhe vajzave të UÇK-së, të cilët nuk kursyen asgjë për lirinë e vendit”, tha Osmani.

Më 28 shkurt të vitit 1998 policia e regjimit gjenocidal serb vrau 24 shqiptarë në Likoshan dhe Qirez të Drenicës.