Fëmijët e lindur pas pavarësisë pikturojnë Kosovën

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita e përbashkët me punime artistike të nxënësve nga Kosova dhe Shqipëria.

Ajo është organizuar nga Ministria e Arsimit për nder të 15-vjetorit të pavarësisë dhe përmban 107 punime, raporton Klan Kosova.

“Ky brez i nxënësve të lindur pas shpalljes së pavarësisë, jeni me fat që po rriteni në liri. Fryma e lirisë shihet qartë në këto punime”, tha ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci.

Shumë krenarë për punën e nxënësve që thonë se shpalos mendjen e tyre të hapur janë edhe autoritetet e Shqipërisë.

“Gjithçka keni punuar, e keni punuar me duar të arta. Në vizatimet e juaja ndjehet aroma e lirisë, me ngjyrat e tyre ndjehet krenari, dhe nga ana tjetër përçoni mesazhin e vazhdimësisë”, u shpreh Hasan Muqa, drejtor në drejtorinë rajonale të arsimit parauniversitar në Lezhë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 15 mars. /Klankosova.tv