Baba i Bekim Fehmiut

Shkruan: Shkëlzen Halimi

Babai i Bekimit, Ibrahim Fehmiu, u lindi me 1892 në Gjakovë, në një familje tregtare dhe shumë fetare dhe kreu shkollën e mësuesisë dhe Medresenë në Shkup. Me pushkë në krah dhe libër në dorë, ai ishte dora e djathtë e Bajram Currit, udhëheqësit të kryengritjes kombëtare në luftë kundër turqve më 1912.

Si njëri ndër mësuesit e parë shqiptarë, ai iu dedikua hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe Shqipëri, për çka atëherë pushteti serbo-malazez e gjykon me vdekje. Ishte i ndjekur si bashkëpunëtor i Bajram Currit dhe Fan S. Nolit.

Në vitin 1929, ai privohet nga liria prej pushteti serbo-malazez dhe izolohet në Valevë (Serbi). Në atë kohë familja e tij jetonte në Gjakovë, më pas e gjithë familja, në vitin 1931, shkon në Sarajevë, ku, përveç tre fëmijëve që kishte, i lindin edhe 3 djemtë e tjerë, Arsimi, Fatmiri dhe Bekimi.

Pas okupimit të Shqipërisë nga forcat italiane në vitin 1939, familja shpërngulet në Shkodër (Shqipëri) ku lind edhe një vajzë, Afërdita. Me shpërbërjen e mbretërisë jugosllave në vitin 1941, familja kthehet në Kosovë, ne qytetin e Prizrenit, ku Ibrahimi edhe vazhdon angazhimin e tij patriotik dhe atdhetar.

Edhe në kohën e Jugosllavisë së pasluftës Ibrahimi torturohet dhe pas një procesi të montuar, ai gjykohet me burgim. Shumë pak kohë pas daljes nga burgu, në vitin 1951, babai i Bekimit, Ibrahimi, ndërron jetë.