Optimizëm i matur për takimin Kurti-Vuçiq më 27 shkurt

Herën e fundit kur u takuan në Bruksel, në nëntor të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bartën me vete tensione dhe pasiguri lidhur me përdorimin e targave serbe në veri të Kosovës.

Në takimin e planifikuar për datën 27 shkurt, ata do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i tyre, nuk është e qartë, por spekulimet se a do ta pranojnë ose jo planin, kanë përfshirë opinionin publik të të dyja palëve.
Çfarë thonë qytetarët në Prishtinë?
Sanije Zeqiraj thotë se palët negociuese do të duhet të gjejnë “një mes”, në mënyrë që të mos përsëriten tensionet.

Ajo thotë se marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë edhe mbështetjen e popullit.

“Nëse vendoset diçka kundër [vullnetit të] popullit, besoj se kemi për të pasur prapë probleme. Unë llogaris që Kurti është shumë i kujdesshëm në këtë pikë dhe nuk dyshoj që mund të bëjë ndonjë gabim”, thotë Zeqiraj, pensioniste nga fusha e arsimit.

Ajo shton se nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë për të arritur një zgjidhje përfundimtare, sepse, siç shprehet, qytetarët janë lodhur nga procesi negociues, i cili ka nisur qysh në vitin 2011.
Samedin Beqiri, librashitës në Prishtinë, nuk ka pritshmëri të larta nga takimi në Bruksel dhe beson se të dyja palët do të negociojnë edhe për një kohë të gjatë, përpara se të arrijnë te ndonjë zgjidhje përfundimtare.

“Sipas mendimit tim, çështja e zgjidhjes finale Kosovë-Serbi është ende larg”, thotë Beqiri për Radion Evropa e Lirë.

“Shpresoj të bëhet më mirë dhe të vendoset njëherë e përgjithmonë për Kosovën”, thotë shkurtimisht Fadil Konushevci, punëtor i sektorit privat.

Çfarë thonë qytetarët në Beograd?
Aleksandar Durkoviq shfaq shpresën se Kosova dhe Serbia do të gjejnë një zgjidhje kompromisi “për hir të interesit të përbashkët”.

Por, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, sipas tij, nuk është i pranueshëm, sepse, siç thotë, Serbia nuk duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Vetë presidenti [i Serbisë, Aleksandar Vuçiq] ka thënë se Kosova ligjërisht nuk ekziston dhe se është shtet ilegal”, thotë Durkoviq për Radion Evropa e Lirë.
Mira beson se bisedimet mes Kurtit dhe Vuçiqit “do të jenë të vështira”, por se presidenti i Serbisë “nuk do të dorëzohet”.

“Ne nuk mund të bëjmë shumë lëshime ndaj Evropës”, thotë ajo.

Nenad Miçiq thotë se pas 27 shkurtit nuk do të ketë ndonjë përparim të madh në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe shton se, aktualisht, “të gjithë janë të kënaqur me status quo-në”.

“Do të kishte probleme nga të dyja palët nëse do të binin dakord për një kompromis… Kjo gjendje u përshtatet edhe disa forcave të tjera, që ndikojnë në ruajtjen e saj”, thotë Miçiq pa saktësuar se për kë e ka fjalën.

Çfarë përfshin propozimi i BE-së për Kosovën dhe Serbinë?
Ndërmjetësit ndërkombëtarë në dialogun Kosovë-Serbi u kanë prezantuar palëve planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit të kaluar.

Në atë dokument, i cili është mbështetur nga SHBA-ja, Gjermania dhe Franca, nuk përmendet njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Propozimi nuk është bërë publik, por Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një version, autenticiteti i të cilit është konfirmuar nga burimet në Bruksel./REL