Vuçiq: Posedojmë edhe një notë për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sonte se Serbia ka edhe një notë për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ne kemi një marrëveshje për të pritur dhjetë ditë para se të zbulojmë se për cilin vend po flasim. Do të ishte vendi i 27-të ose i 28-të që tërheq njohjen, pasi ne nuk jemi të sigurt për një”, shpjegoi ai në një deklaratë për gazetarët në Mynih.

Vuçiq raportoi se sot në Mynih ka pasur bisedime me Presidentin e Francës, kancelarin gjerman, kryeministrin e Greqisë, sekretarin e shtetit të SHBA-së, ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, si dhe Përfaqësuesin e Lartë për Punët e Jashtme dhe BE-së, Borell.

“Ne patëm edhe bisedime shumë të mira me britanikët, si dhe me miqtë tanë grekë, dhe shumë të rëndësishme me gjermanët, francezët dhe amerikanët. Tema kryesore ishte sigurisht dialogu me Prishtinën, por edhe marrëdhëniet tona dypalëshe ekonomike dhe politike, dhe kuptohet edhe rruga evropiane e Serbisë”, theksoi ai.

Vuçiq tha se nesër do të bisedohet për vazhdimin e dialogut në Bruksel me Borellin dhe Miroslav Lajçakun, të cilët morën pjesë edhe në takimin e sotëm me Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz.

“Ne folëm për domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ata vetë në takim kanë thënë se i dinë kufijtë që Serbia nuk do t’i kalojë”, tha ai./gazetablic