Ish-presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, tani në krye të Monzas, thotë se Franco Baresi ishte lojtari “më i madh” gjatë kohës së tij në krye të klubit kuq e zi.
Monza e Berlusconit do të përballet me Milanin në stadiumin U-Power të shtunën.
Është hera e dytë që ish-kryeministri italian takohet me ish-klubin e tij si kundërshtar në një ndeshje konkurruese.
Hera e parë ishte në ndeshjen e parë në “San Siro” më 22 tetor, kur kampioni aktual siguroi një fitore 4-1, transmeton Klankosova.tv.
Berlusconi foli për Sky Sport Italia të premten në prag të ndeshjes së nesërme me Milanin duke thënë se ai përmbushi ëndrrat e tij gjatë presidencës së tij 31-vjeçare.
“Doja që Milani të bëhej ekipi më i mirë në botë dhe ia dola”, tha ai, cituar nga Gazzetta.
“Fitova gjithçka. Në vitin 1994, nuk isha në gjendje të shikoja finalen e Champions League për shkak të një takimi politik dhe kur thirra Adriano Gallianin, ai më tha se kishim fituar 4-0. Unë jam ende krenar për atë që kemi arritur”.
Disa nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave kanë luajtur për Milanin e Berlusconit: Marco Van Basten, Ruud Gullit, Paolo Maldini, Franco Baresi, Andrea Pirlo, Andriy Shevchenko dhe Kaka, në mesin e shumë futbollistëve të tjerë.
Megjithatë, ish-pronari i klubit nuk ka dyshim se kush ishte më i madhi.
“Unë e dua Maldinin, ai është djali dhe babai i lojtarëve të Milanit. I dua shumë lojtarët e mi të Milanit, nga Gullit te Van Basten, por më i madhi ishte Baresi. Një lojtar fantastik, tepër i sinqertë, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë, përfshirë edhe nga kundërshtarët”, përfundoi Berlusconi.