8 ditë pas tërmetit shkatërrimtar/ Mbi 40 mijë viktima, ende njerëz të gjallë nën rrënoja

9 ditë, e përkthyer në orë, pas plot 203 orëve u shpëtua edhe një jetë nga nën rrënojat e Hatajit të Turqisë. Është një grua, e cila për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësor, me autoambulancë u dërgua në spitalin më të afërt.

Pas 198 orëve dritë me sy panë edhe 2 vëllezërit nga Kahramanmarash. Për televizionin turk TRT, dy vëllezërit thanë se qëndruan të gjallë duke konsumuar pluhur proteinash.

“Për shkak se merrem me sport, pluhurin e proteinave e vë në sirtarin tim. E marr edhe ujin me vetë por ujin nuk mundesha ta gjej dhe ashtu e hëngrëm bashkë me vëllain tim”- tha Muhamed Enes Jeninar, Turqi.

Vëllai tjetër tha se vazhdimisht flinin të përqafuar me të vëllain.

“Ishim rehat. Për fat e gjeta telefonin dhe vëllai im ishte në mua. Hynte një ajër i pastër brenda. Ne iu lutëm Zotit dhe ishim mirë. Nuk ka si uji.”- tha Abdulbaki Jeninjar, Turqi.

Ekipet e kërkim shpëtimit vazhdojnë punën nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Media turke raportojnë se ekipet e shpëtimit kanë thënë se ende janë duke dëgjuar zëra nga nën gërmadhat, duke ofruar kështu një fije shprese për të gjetur më shumë të mbijetuar.

Numri i të shpëtuarve është diku mbi 8000, kurse historitë e mbijetesës po bëhen më të pakta.

Nëpërmjet një video, presidenti truk Rexhep Taip Erdoan, shprehu mirënjohje ndaj të gjitha vendeve për ndihmën që dhanë në shpëtimin e jetëve dhe çfarëdolloj ndihme tjetër.

“Dëshiroj të falënderoj edhe një herë të gjitha vendet mike dhe simotra që kanë mbledhur ndihma për kombin tonë ditë e natë dhe mbështetën përpjekjet tona të kërkim-shpëtimit me ekipet e tyre dhe që nuk na harruan në lutjet e tyre”- deklaroi Rexhep Taip Erdoan, President i Turqisë.

Numri i të vdekurve nga tërmetet me magnitudë 7.8 dhe 7.5 që tronditën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë më 6 shkurt, kaloi shifrën prej 40 mijë, teksa ekspertët paralajmërojnë se ky numër do të rritet.