Sa riparohet njëra, prishet tjetra. Kjo po ndodh gati çdo javë në dy termocentralet “Osllome” dhe “Manastir”.
Ende pa u sanuar defekti në TEC “Osllome”, sot u shkyç nga përdorimi Blloku 1 i termocentralit “Manastir”.
Problemi qëndron te çarja e tubave në kazanë, tek të cilët po punohet për t’i riparuar.
Nga EMV thonë se në TEC “Manastir” është bërë servisimi i makinerive dhe tubave, por ja që në mëngjesin hasën sërish në problem.
“Blloku 1 i TEC Manastir, mëngjesin e sotëm është shkyçur nga rrejti për shkak të riparimit të tubave. Në proces e sipër është riparimi dhe lokalizimi I anomalive, pas çka pritet që në kohë sa më të shpejtë të vihet në funksion sërish. Në bllokun 1 para një jave u krye servisimi dhe riparimit, i cili për fat të keq nuk mund ta parashikojë apo parandalojë atë që ndodhi sot. Secili nga tre blloqet e TEC Manastirit ka një bojler të përbërë nga gypa me gjatësi rreth 700 kilometra, të vendosur në lokacione të ndryshme, nivele, nëpër të cilat kalon avulli me nxehtësi mbi 500 gradë celsius.”- deklaroi Elektranat e Maqedonisë së Veriut.
Para dy ditësh nga funksioni sërish u shkyç TEC “Osllome”. Probleme u paraqitën pikërisht në vendin ku një javë më parë pati zjarr. Nga atje sqaruan se është vërejtur dridhje në sistemin e ventilimit.
Drejtor i EMV-së Vasko Kovaçevski ditë më parë në “Click Plus” për këto probleme u arsyetua me vjetërsinë e centraleve, për të cilat tha se prej kohësh janë lënë pas dore dhe nuk mund të ndërtohen brenda natës.
“Janë 30, 50 dhe më vjet kapacitete të vjetra, pra ata janë kapacitet nuk mundemi brenda natës të ndërtojmë të reja, thash atë që kemi lëshuar ose i kemi lënë në gjumë 30 vjet nuk mundet që ta përmirësojmë për një vit e gjysmë dhe në kohë të energjisë elektrike”- deklaroi Vasko Kovacevski, drejtor i EMV-së.
Krahas defekteve të shumta, nga EMV kanë kumtuar se nuk do të ketë mungesë të energjisë elektrike sepse siç shtojnë po punohet sipas planit dhe kapërcehet secili devijim i një kapaciteti të caktuar.
Për momentin po punon vetëm blloku dy i TEC “Manastirit”, sepse në bllokun tre po vendoset transformatori i ri, ndërsa blloku 1 për momentin është jashtë funksionit.