Ruajtja e klaneve dhe jo e vlerave kombëtare

Shkruan: Shkodran H. ISMAILI, Preshevë

REAGIM KRITIK (Keqpërdorimet e PVD-së ndaj granteve që Kosova ia ka dedikuar Luginës së Preshevës)

Lidhur me grantet e KNSH-së (Këshillit Nacional të Luginës së Preshevës) për projekt- propozimet e “shoqërisë civile” për përkrahjen financiare të projekteve që bartin aktivitete për ruajtjen dhe kultivimit e gjuhës, arsimit, artit, kulturës dhe identitetit kombëtar në Luginë të Preshevës, projekt i dalur nga Memorandumi i bashkëpunimit të këtij institucioni me Qeverinë e Republikës së Kosovës për vitin e ardhshëm 2023.
Pritshmëritë tona në lidhje me projekt-propozimet ishin të dyshimta, dhe prandaj vjen ky reagim kritik që dëshmon për pjekurinë e pritshmërisë sonë zero për mospërkrahjen institucionale. Dhe kjo mospërkrahje institucionale erdhi, veç se nuk i përkasim klanit tuaj, partisë apo pse dhe jemi oponent politik (unë nuk i përkas asnjë partie dhe klani në Luginë të Preshevës) dhe çka jo tjetër!
Pse s’kemi nevojë e nuk ka vyen kultura, arti, shkenca, dija, filozofia e arsimi i mirëfilltë, pa klane, partiçka të mëhallave, pa komunitete të vogla thashethemxhinjësh e cikrimtarësh;
Pse nuk na duhet arti e kultura e strukturuar kombëtare me vizion e me artikulim të saktë kulturor, pa ndërskamsa, pa shantazhe, pa shpifje, pa përpjekje për linçime të pista, këtë e kemi ditur gjatë kohë, – dhe këtë gjë e keni dëshmuar dhe e dëshmoni çdo ditë, sot e tridhjetë vite më parë… Por ama me këtë tanimë e keni dëshmuar edhe me letër, me projekt dhe nënshkrim që „s’keni asnjë lidhje me ruajtjen e vlerave kombëtare të mirëfillta“!!!
Pse nuk keni vizion politik për këtë popull e s’keni patur kurrë, edhe këtë e dimë, dhe jo veç nga ju si drejtues të KNSH-së e si PVD, por dhe nga të tjerët qeverisje në të kaluarën, e madje dhe nga kjo e tanishmja. Që jeni sjellur e silleni si “pa busull e si gusa në mjegull” dhe bash asgjë s’keni të qartë (as nga organizimi politik që pretendohet kinse bëni dhe as nga asgjëja) dhe se s’keni patur kurrë të artikuluar e kristalizuar as politikisht dhe as kulturalisht deri në fund asnjë parim, se çka në të vërtetë doni të bëni (për këtë popull dhe për këtë rajon e krahinë), – edhe këtë e kemi ditur! Mirëpo tani e keni firmosur dhe po na dëshmoni edhe me vepra akoma dhe ma fuqishëm për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendeni ju dhe qorrsokakun që e keni futur popullin.
E kam fjalën për refuzimin e nismës sonë për një shtëpi botuese serioze dhe një revistë shkencore poashtu serioze e me vlera të mirëfillta shkencore këtu në Preshevë, e me artikulim të qartë kulturor, se çka në të vërtetë duam dhe DUHET DOMOSDO të bëhet në këtë nënqiell të albanosferës. Nismat ishin ndërmarrë nga njerëz serioz të penës, dijes e të veprimit kulturor, letrar, publicistik e politik, nga joservilë të pushtetit, jo puthadorës të asnjë partie dhe të asnjë ndikimi.
E që këtu e tani, do i sjellim disa nga projektet tona dhe të miqve tanë që kanë punuar dhe kanë dëshmuar seriozitetin e punës së tyre me vite e dekada. Disa nga projektet e tilla serioze që nuk kanë kaluar, janë:
1. Projekti i Skender Latifit, gazetar i mirënjohur mbarëkombëtar dhe i dëshmuar me krijimtarinë e tij publicistike, letrare e kulturore, për një projekt që ka qenë shumë serioz për kulturën, historinë dhe gjithë trashëgimin e Luginës së Preshevës;
2. Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, me në krye z. Xhemaledin Salihu, një shoqatë serioze që ekziston dhe vepron që dhjetë vite e më shumë. Ajo tanimë ka dëshmuar seriozitetin e veprimit të saj kombëtarë në të mirë të ruajtjes së trashëgimisë së kësaj ane;
3. Projekti i Grupit letrar nga shkolla fillore “prof. Ibrahim Kelmendi” një grup unik dhe mjaft aktiv që është dëshmuar, me aktivitete dy vjeçare, që ka kërkuar një shumë tepër simbolike për sigurimin e librave letrarë për nxënësit e kësaj shkolle;
4. Projekti për një shtëpi botuese vendase, e që bartës i këtij projekti ishim unë, prof. Fitim Nuhiu së bashku me gazetarin e mirënjohur Skënder Latifi, një emër që i bën nderë gjithë Preshevës dhe më gjërë kryeqendrave tona, Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës. Ky projekt do të ishte i pari i kësaj natyre, në Luginë të Preshevës dhe pas tij e kemi përkrahjen e një grupi të mirë të letrarëve, poetëve, publicistëve, aktivistëve të vërtetë të shoqërisë civile (e jo të thashëthemxhinjëve e kafexhinjëve) të cilët merren intensivisht hallet e përditshme të tyre, një grup studentësh të dalluar dhe çka jo tjetër.
E keni dëshmuar se s’kemi nevojë për kulturë, për art të mirfilltë, s’kemi nevojë për ruajtjen e trashëgimisë së mirëfilltë të kulturës materiale dhe jomateriale duke e materializuar në letër e për t‘ua lënë brezave në vazhdim. S’kemi nevojë për (ri)prodhim të mirëfilltë intelektual, akademik, vizion të kristaltë kulturor të këtij vendi! Por na e dëshmuat se ju keni nevojë për shoqata, organizata fantome, klube e klane ku prodhohet përtacia, shantazhi, thashethemja, e shpifja për vdekje e njollosje sa më tinzare e oponentit politik, me të vetmin arsyetim, “veç se është oponent politik”! Na dëshmuat se keni nevojë ju për populizëm e matrapasizëm rrugaçësh që e “ruajnë dhe e kultivojnë gjuhën, arsimin, kulturën si armatë e facebookut për sharjen dhe llomotitjet kundër “tjetrit” që nuk i përket vijës suaj, e që e kultivojnë dhe ujisin ndjenjën deri në vdekje për oponentin! E çka nuk dëshmuat tjetër se….?!
Tashmë ju e dini, se populli flet vetëm tre ditë, ju ofendon dhe ju harron, e juve dhe militantëve tuaj paratë e thata – mijëra euroshe ju mbesin, kështuqë vazhdonie avazin e vjetër, sepse ia dini rendin, në fakt ia keni ditur qysh prej fillimit, por tash ju ka ra shiu n’kallamoç.
Pra, hajeni turpin me bukë ashtu siç jeni mësuar sot e tridhjetë vite ta hani!!!