Bota feston pa kufizime Vitin e Ri

epa10383611 Fireworks lit the sky over the Bolte Bridge during New Year's Eve celebrations in Melbourne, Victoria, Australia, 31 December 2022. EPA-EFE/DIEGO FEDELE AUSTRALIA AND NEW ZEALAND OUT

Berlini dhe shumë qytete të tjera e kanë pritur Vitin e Ri me shfaqje spektakolare dhe tubime në natyrë duke shënuar një rikthim për festimet në shkallë të gjerë pas kufizimeve pandemike të dy viteve të fundit.

Një turmë prej disa mijëra vetësh u mblodh në Portën e Brandenburgut dje, pasi turistë ishin dyndur edhe më parë në kryeqytet.

Festa zyrtare e qytetit ishte më e vogël se në të kaluarën dhe biletat duhej të rezervoheshin paraprakisht.

Në mesnatë, vizitorët panë një shfaqje me dritë në vendin historik, në vend të fishekzjarreve. Sidoqoftë, gjetkë dhe në të gjithë qytetin, shfaqjet private të fishekzjarreve shpërthyen deri pas mesnate.

Disa orë më vonë në Nju Jork, festa tradicionale e Vitit të Ri në ”Times Square” u zhvillua sërish me mizëri njerëzish.

Dhjetëra mijëra njerëz festuan me rënien tradicionale të topit prej kristali.

Festa në ”Times Square” është një nga festimet më të mëdha të Vitit të Ri në botë.

Ngjarja e ka origjinën në hapjen e një shtëpie të re botuese të ”New York Times” në 1904.

Rio de Janeiro organizoi festën e famshme të Vitit të Ri në plazhin e Copacabanas, pa kufizime, për herë të parë që nga pandemia.

Qindra mijëra ndoqën teksa fishekzjarret u gjuajtën nga anijet në gjirin e Atlantikut dhe muzikantë, grupe dhe DJ performuan në disa skena në plazhin e qytetit Copacabana.

Në Londër, më shumë se 100 000 njerëz festuan ndërrimin e vitit duke parë një shfaqje fishekzjarre në Syrin e Londrës.

Për herë të parë që nga viti 2019, vizitorët u lejuan të festojnë në Bregun Jugor të lumit Thames në kryeqytetin britanik.

”Big Ben” goditi dymbëdhjetë në mesnatë, kumbimi i Vitit të Ri.

Në Paris, një shfaqje e madhe fishekzjarre në Champs-Élysées tërhoqi një turmë prej rreth një milion njerëzish.

Më herët, kombet anembanë Azisë festuan Vitin e Ri.

Në Korenë e Jugut, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Seulit për të dëgjuar 33 tingujt e kambanës mbi tre metra të lartë Bosingak, raportojnë mediat lokale.

Për dy vite rresht, njerëzit kishin qenë në gjendje të shikonin ceremoninë në televizion dhe në mediat sociale për shkak të pandemisë.

Gjatë aktit ritual, një zile e madhe bronzi goditet saktësisht 33 herë duke filluar nga mesnata, pasi numri 33 simbolizon fatin e mirë në Kore.

Ndërkohë, festimet në Kinë ishin ”të heshtura” për shkak të përhapjes së shpejtë të koronavirusit, edhe pse baret dhe restorantet mundën të organizonin evente që nga lehtësimi i rregulloreve.

Nata e Vitit të Ri nuk është një festë veçanërisht e rëndësishme në Kinë, pasi njerëzit e shënojnë Vitin e Ri më 22 janar me festime më të mëdha.

Më parë, në Tajvan, fishekzjarre u ndezën në pikën historike të ishullit ”Tajpei 101”, një nga ndërtesat më të larta në botë.

Rreth 16,000 fishekzjarre u ndezën gjatë shfaqjes 5-minutëshe, me temë “Kujdesi për botën dhe ëndrrat e shndritshme”, në rrokaqiellin 509 metra të lartë.

Sidnej e kishte pritur tashmë Vitin e Ri me një shfaqje në shkallë të gjerë fishekzjarre të quajtur “kaleidoskop me ngjyra” në portin e qytetit.

Pika kryesore e shfaqjes ishte një ylber i ndritshëm që u derdh si ujëvara nga Ura e Portit, ndërsa qyteti mezi pret të presë ”World Pride” në shkurt.

Një milion njerëz pritej të dynden në spektaklin që u mbajt përpara Urës së Portit dhe Teatrit të Operas, sipas transmetuesit ABC.

Ndërkohë, sipas vlerësimeve, gjysmë miliardë të tjerë shikues e ndoqën shfaqjen nga distanca në të gjithë botën.

”Festimi përfshinte rreth 9 000 fishekzjarre, që kushtojnë rreth 39 milionë dollarë”, thanë organizatorët përpara ngjarjes.

Shfaqja e Australisë erdhi pasi Samoa dhe Kiribati në Paqësorin Jugor ishin vendet e para në botë që mirëpritën vitin 2023, në një festë që përfshiu turistët për herë të parë në dy vjet.

Të dy vendet mbyllën kufijtë e tyre për vizitorët në Mars 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kiribati u rihap për botën në gusht, me Samoan që pasoi në shtator.

Dy fishekzjarre të veçanta në Samoa, një në kryeqytetin Apia dhe tjetra në Savai’i, sinjalizuan fillimin e vitit të ri.

Ishulli më i madh i Kiribatit, Kiritimati, shtëpia e rreth 5 000 banorëve, është ishulli i parë i banuar që fillon festimet çdo vit të ri, megjithatë asnjë ngjarje e madhe nuk ishte planifikuar.

Si qendra e parë e madhe ndërkombëtare që mirëpriti Vitin e Ri, u ndriçuan monumentet e qytetit më të madh të Zelandës së Re, Auckland.

Fishekzjarret u kthyen në Sky Tower, së bashku me një dritë lazer dhe shfaqje animacioni të sinkronizuar me monumente të tjera, duke përfshirë Urën e Harbour dhe Muzeun.

Samoa Amerikane, vetëm 220 kilometra në lindje të Samoas në anën tjetër të linjës ndërkombëtare të datës, do të jetë e fundit që do të festojë ardhjen e 2023-shit