Lëvizja BESA: Grubi shpërblen “branitellat”, ndërsa përbuzë vlerat e luftës dhe ish ushtarët e UÇK-së!

Departamenti i mbrojtjes i Lëvizjes BESA përmes një reagimi ka drejtuar kritika të ashpra në adresë të zv/kryeministrit Artan Grubi i cili si thuhet “shpërblen “branitellat”, ndërsa përbuzë vlerat e luftës dhe ish ushtarët e UÇK-së!”

“Opinioni mbarëshqiptar dëgjoi përmes mediumeve se si zv.Kryeministri i Parë, Artan Grubi, ka nënshkruar dokument ku anashkalon sistemin e drejtësisë dhe paguan dëmshpërblim për “branitellat” me kundërvlerë 30 mijë euro për 4 ish pjesëtarë të tyre. Ndonëse opinioni shqiptar mund të jetë çuditur e habitur nga ky vendim i funksionarit më të lartë të BDI-së, për

Lëvizjen BESA ka qenë e pritshme sepse në vazhdimësi kemi ngritur zërin për harresën e BDI-së ndaj vlerës kombëtare të UÇK-së.

Se ky vendim është një vendim i turpit dhe mendësisë inferiore kund-drejt maqedonasve, mjafton t’i përmendim shqiptarëve edhe faktin tjetër ku krimineli (i dëshmuar në Tribunalin e Hagës) i masakrës së Lubotenit, Johan Tarçullovski u shpërblye nga Qeveria VMRO-BDI me 5.000 euro në muaj. Pra, për BDI-në nuk mjaftojnë as institucionet ndërkombëtare të Drejtësisë dhe vendimet e tyre mbi kriminelët e dëshmuar.

Lëvizja BESA shfrytëzon këtë rast që t’u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve se ka ardhur koha që të marrë besimin e tyre sepse është dëshmuar se është subjekt i vetëm që mbron në mënyrë dinjitoze vlerat e kombit sepse jemi autokton, autonom dhe autentik. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndalojmë njëherë e mirë përbuzjen e BDI-së ndaj vlerave, kulturës dhe identitetit shqiptar”, thuhet në reagimin e Departamentit të Mbrojtjes – Lëvizja BESA. (INA)