Virusi RS në Gjermani: Klinikat e pediatrisë në limitet e tyre

Në Gjermani po qarkullon një virus i rrugëve të frymëmarrjes që prek fëmijët. Spitalet ndodhen në gjendje të jashtëzakonshme, situata është dramatike. Por për gjendjen e vështirë klinikat e kanë fajin edhe vetë.

Një bebe i reanimuar po shtrohet në pediatrinë e tejmbushur. Për të pranuar këtë fëmijë, duhet që një trevjeçar të vazhdojë të presë edhe dritën e tretë radhazi për t’u futur në një operacion të domosdoshëm zemre. Fëmija që pranohet ka bërë gjatë natës 150 kilometra rrugë nga Hanoveri në Magdeburg, për të gjetur një shtrat të lirë, sepse 21 klinikat që ndodhen më afër janë mbushur plot dhe nuk kanë më shtretër të lirë. Tek to ka qindra fëmijë që presin në urgjencë dhe dërgohen megjithatë mbrapsht në shtëpi. Ose trajtohen në pavionet e zakonshme, megjithëse duhen trajtuar në repartin intensiv.

Këto fjalë janë të rënda. Kur flet me Mehrak Yoosefin, mëson më shumë nga realiteti. Mjekja e fëmijëve në spitalin Charité të Berlinit thotë: “Aktualisht në të gjitha qendrat e urgjencës për fëmijë shërbimi është 24 orësh. Kapacitetet janë harxhuar, ne nuk mund të sigurojmë më kujdesin. Ne duhet të shohim që të arrijmë që asnjë fëmijë të mos vdesë gjatë kësaj kohe.”

Virusi RS i rrezikshëm sidomos për fëmijët e vegjël

Kjo periudhë dhjetori është periudha më e fortë për viruset në Gjermani. Sipas Institutit Robert Koch, gati një në dhjetë vetë vuan aktualisht nga një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes. Shifra ka arritur gati 9 milionë vetë. Me shumë tërbim viruset përhapen sidomos mes fëmijëve të shkollës të moshës nga 5 deri 14 vjeç. Shumë e rrezikshme për fëmijët dhe sidomos për bebet është i ashtuquajturi virusi RS, virusi synzytial i organeve të frymëmarrjes. Ai sëmur rrugët e frymëmarrjes dhe shkakton goditje të rënda që kërkojnë madje frymëmarrje artificiale.

Përhapja e virusit me tërbim të madh në Gjermani ka të bëjë me pandeminë e Coronës. Për shkak të mbajtjes së maskës dhe izolimit prej Coronës, fëmijët e vegjël janë infektuar rrallë me virusin RS, prandaj e marrin atë tani. Kjo ka pasoja të mëdha për sistemin gjerman të shëndetësisë, që vuan gjithësesi nga mbingarkesa prej sëmundjeve kronike. Yoosefi, që mban maskë për t’u mos u sëmurur edhe vetë thotë: “Një pjesë të këtyre fëmijëve ne nuk mund t’i shtrojmë, sepse nuk kemi shtretër. Një pjese të fëmijëve nuk mund t’u jepet ndihmë frymëmarrjeje, sepse nuk kemi pajisje të lira, për të kontrolluar ngopjen me oksigjen. Këta janë fëmijë që mund të sëmuren nga ndalimi i frymëmarrjes. Fëmijët nxirren nga spitali para kohe dhe dërgohen nga pavionet e shërbimit intensiv në ato normale më herët nga sa duhet.”

Në klinika nuk ka më shtretër të lirë

Një sondazh i kryer nga DIVI, Shoqata gjermane ndërdisiplinore për mjekësinë intensive dhe urgjente, nxorri në pah se një në dy klinika është e detyruar të mos pranojë fëmijë të tjerë për t’i shtruar në pavionin intensiv. Nga 110 klinikat e fëmijëve, 43 prej tyre nuk kanë pasur më asnjë shtrat të lirë në pavionet e shërbimit intensiv.

Përveç kësaj, edhe nëse ka mjaft shtretër për trajtimin intensiv, 40 përqind e tyre nuk mund të përdoren për shkak të mungesës së personelit. “Ne jemi të gjithë të strapacuar,” thotë mjekja e fëmijëve të spitalit Charité, “mungesa ka në të gjitha qoshet, përfshirë edhe mungesa në personel, për të përballuar ardhjet e shumta.”

Problemi nuk është se klinikat gjermane të fëmijëve nuk kanë bërë parashikime për atë çka i pret këtë dimër. Që në muajin janar Mehrak Yoosefi, së bashku me nismën e klinikave të pediatrisë në Berlin, një grup mjekesh dhe mjekësh të kryeqytetit iu drejtua politikës. Por nuk mori asnjë përgjigje. Një letër e dytë apeli drejtuar senatores së Berlinit për çështjet e shëndetësisë, Ulrike Gote (Të gjelbërit) dhe ministrit socialdemokrat të Shëndetësisë, Karl Lauterbach pasoi në muajin shtator. “Ne e parashikuam këtë valë virusi. Dhe tani tronditja është e madhe, sepse situata është shumë më e keqe se mendohej.”

Trajtimi mjekësor i fëmijëve kërkon më shumë kohë dhe një qasje ndryshe nga trajtimi i pacientëve nëmoshë madhore

300 milionë euro për pediatritë dy vitet e ardhshme

Vonë, shumë vonë për këtë dimër erdhën reagimet nga politika. Parlamenti gjerman aprovoi një paketë ligjore për spitalet, i cili do t’i japë më shumë para arkave të zbrazura të klinikave të fëmijëve. 300 milionë euro do jepen më shumë në vitin 2023 dhe 2024. Si dhe 120 milionë euro për sigurimin e vendeve obstetrike. Por Yoosefi indinjohet shumë nga propozimet e ministrit të Shëndetësisë Karl Lauterbach për të përballuar krizën aktuale, duke dërguar tek spitalet e fëmijëve personel të marrë nga pavionet e tjera.