Aktori shqiptar Kasem Hoxha zgjidhet nga presidenca gjermane si i ftuar i veçantë për të shoqëruar Presidentin e Gjermanisë

I njohur për publikun gjerman në ekranin e kinemasë dhe padyshim prej punës shumëvjeçare në ekranin televiziv, veçanërisht për rolin në serialin kult ‘Tatort’ dhe ‘Der Kroatien Krimi’, Kasem Hoxha është nga aktorët shqiptarë më të suksesshëm në Gjermani. Për publikun shqiptar, artisti është i njohur nga rolet në ‘Gjallë‘ i Artan Minarollit, ‘Dita Zë Fill’ i të Gentian Koçit, ‘Holy Boom’ nga Maria Lafi, ‘Krom’, ‘Delegacioni’ dhe ‘Virgjeresha Shqiptare’, të Bujar Alimanit.

Së fundmi, vetëm disa ditë më parë ai erdhi për publikun shqiptar me një rol tejet pikant, mes realizmit të kushtëzuar nga një mungesë e thellë e shpresës por megjithatë plot ngjyra gazmore, në debutimin e suksesshëm të Ergys Metës me titull ‘Një Prej Nesh’.

Si pjesë e komunitetit artistik dhe për më tepër atij kinematografik shqiptar, e presim këtë lajm me shumë kënaqësi. Ky vlerësim për aktorin dhe mikun tonë është padyshim një ngjarje që tregon mbështetje dhe e cilëson artin si urën më të drejtpërdrejtë dhe efikase të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të kulturave.

Pyetjes se çfarë do të thotë për aktorin, djalin tiranas të ambasadave, të udhëtojë si i ftuar special përkrah Presidentit gjerman në një vizitë zyrtare në Shqipëri, ai i përgjigjet:

“Ndjehem sinqerisht shumë i vlerësuar dhe njëkohësisht është një nder i veçantë, që pikërisht jam unë i përzgjedhuri si i ftuar nderi, për të qenë në grupin që do të shoqërojë Presidentin gjerman Zotin Steinmeier në vizitën e tij shtetërore në Maqedoninë e Veriut dhe për vizitën dy ditore në Shqipëri!

Njëkohësisht më prek thellësisht në shpirt, të konsiderohem ambasador kulture midis Shqiperisë dhe Gjermanisë, sepse mendoj se kultura është gjuha që lidh botën dhe arti është dashuria që ndajnë të gjithë kombet!”

Kasem Hoxha ka lindur në Tiranë dhe ka emigruar në Gjermani në vitin 1990 në eksodin e ambasadave. Ai është vlerësuar më parë në Shqipëri nga Projekti “Albanian Excellence”, i cili në 23 nëntor 2012, nderoi me çmime 100 shqiptarë të suksesshëm në botë.