Osmani: Kosova koordinohet me NATO-n për të gjithë territorin e saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se institucionet e Kosovës kanë koordinim të vazhdueshëm me bashkësinë ndërkombëtare për tërë territorin e shteti, e jo “vetëm për një territor të caktuar”.

Në ceremoninë e sotme në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, me rastin e shënimit të Ditës së Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Osmani porositi se koordinimi i Kosovës me NATO-n “nuk duhet të shihet si diçka negative”.

“Dokumentet të cilat kanë të bëjnë me pjesë të caktuara të territorit kanë fuqi atëherë kur ratifikohen në Kuvend, pra ne nuk kemi çka flasim për shfuqizime, dakordimi që ne si institucione aktuale e kemi me NATO-n është që koordinimi ynë me NATO-n është për gjithë territorin e Kosovës dhe ne nuk diskutojmë për zgjidhje specifike, për pjesë specifike, vetëm për tërë territorin të pandashëm dhe të pacenueshëm dhe atë koordinim e bëjmë si për Istog, si për Prizren, si për Gjilan si për Mitrovicë si për çdo pjesë të Republikës së Kosovës sepse ne e vlerësojmë roli ne NATO-s. NATO ka një rol të jashtëzakonshëm historik edhe në vitin 1999 por edhe në arritjen ku jemi sot, edhe në përgatitjen e shumta në raport me FSK-në kështu që nuk duhet ta shohim si diçka negative koordinimin me NATO-n, por vetëm pozitive sepse koordinimi ynë me partneret vetëm gjëra pozitive i ka sjell vendit tonë”, ka thënë presidentja Osmani.