Gjashtë vjet nga vdekja e Astrit Deharit

Sot janë bërë gjashtë vjet nga vdekja e mistershme e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.Andaj për këtë përvjetor të Deharit do të mbahen homazhe të varri i tij në varrezat e Dragodanit, me fillim nga ora 9 e 30.

Për këtë rast do të mbahen edhe dy diskutime, njëra në orën 14 në Prishtinë, në Hollin e Bibliotekës Kombëtare “Përjetimet me Astritin si aktivist i Lëvizjes, student, shok dhe familjar i përkushtuar” dhe tjetra në Pejë në orën 17, “Aktiviteti i Astrit Deharit në qendrën e Pejës, përvojat e bashkëpunëtorëve dhe aktivistëve me të”, në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

Kanë kaluar gjashtë vite dhe ende nuk është zbardhur kjo vdekje e mistershme.

Haxhiu: Prokuroria po vonon drejtësinë

Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi dje se rrethanat e vrasjes së Astritit mbesin padrejtësisht enigmë, siç ka shkruar ajo, për shkak të mos veprimit të Prokurorisë. Ajo theksoi se janë të domosdoshme veprimet për zbardhjen e shpejtë të këtij rasti.

“Janë të domosdoshme veprimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të vrasjes së Astritit, hetim i gjithanshëm që shoqërohet me efikasitet dhe rezultate që shfaqin të vërtetën, në bazë të provave dhe fakteve të pakontestueshme të cilat janë në duart e organeve të ndjekjes. Neglizhenca e Prokurorisë po e vonon drejtësinë”, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka përmbledhur angazhimet e ministrisë së saj për zbardhjen e rastit.

“Brenda kompetencave të përcaktuara ligjore, si Ministri e Drejtësisë kemi kërkuar inspektim për rrethanat e rastit Dehari, me ç’rast pas gjetjeve të Raportit kanë rezultuar me pezullim personat: Ylber Topalli (ish-Kryeinspektor i ShKK-së); Destan Zogaj (ish-u.d. Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren) dhe Burim Buleshkaj (ish-u.d. Drejtor për Siguri, Operativë dhe Transport të të Burgosurve në ShKK). Për më tepër, shkeljet e rënda e të shumta procedurale i kemi dërguar te Prokurori i lëndës, por nuk kemi asnjë informacion për epilogun e tyre, në kuptim të ndihmës për ecurinë e rastit. Rasti Dehari nuk mund të zbardhet me pasivitet prokurorial. Zbulimi i sakt i çdo prove, përveç që vë drejtësinë për Astritin, dëshmon botërisht për fitoren e drejtësisë ndaj manipulimeve sistemike që rrodhën që në orët e para pas vdekjes së tij”, ka shkruar tutje ajo.

Sipas saj, Prokuroria duhet t’i vë në lëvizje të gjitha mekanizmat dhe instrumentet ligjore për ta përshpejtuar zgjidhjen e plotë të ngjarjes, me nxjerrjen e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë.

“Astriti ishte aktivisti politik i ngritur, i përgatitur për jetën, për veprimtarinë kombëtare e politike, për shtetin dhe shoqërinë. Institucionet e shtetit duhet me doemos ta zbardhin rastin e tij, e shoqëria duhet ta kuptojë të vërtetën e plotë për Astritin”, ka shkruar në fund ajo. Edhe kryeministri Albin Kurti pohon se Dehari është vrarë në burg dhe se drejtësia duhet të zbardhë këtë rast. (INA)