A kanë të drejtë qytetarët të ngrenë padi nëse ndihen të manipuluar gjatë marrjes së “kredive të shpejta?” A mund ta kërkojnë drejtësinë përmes gjykatës? Avokatja Mimoza Saltirova thotë se nga aspekti juridik, konsumatorët duhet t’i lexojnë me shumë vëmendje kontratat që i nënshkruajnë. Por, siç shpjegon, qytetarët kanë mundësinë që këto “para të shpejta” t’i marrin në mënyrë elektronike, ku e gjithë procedura bëhet shumë shpejt.
“Nëse udhëhiqemi nga reklamat që i shohim në televizion ku theksohet se nuk ka kosto, nuk ka norma interesi dhe se gjithçka është falas, atëherë mund të mendojmë për keqpërdorim të besimit të qytetarëve, gjegjësisht mund të mendojmë se janë manipuluar, elemente këto të cilat çojnë në një procedurë penale”, deklaroi Mimoza Saltirova, avokate.
“Qytetarët mund të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre edhe përmes një procedure gjyqësore. Gjykata kompetente do të ishte Gjykata Civile, e cila duhet të përcaktojë nëse qytetarët janë të dëmtuar apo jo. Sa i takon shumës së kostove, qytetarët shpeshherë nuk kanë informacione përkatëse nga shoqëritë financiare për lartësinë e normave të interesit, sepse kjo nuk është cekur në mënyrë të qartë dhe të përpiktë, por në kontratat thuhet se norma e interesit do të llogaritet sipas politikës së interesit të kompanisë”, pohoi Jovan Andonovski, zëvendës i Avokatit të Popullit.
Për të gjitha llojet e marrëveshjeve ku shuma tejkalon mbi 10.000 euro, patjetër duhet të ketë nënshkrim dhe vulë nga një avokat.
“Avokati, pa marrë parasysh nga cila anë është angazhuar, nëse nga ana e kreditorit ose nga ana e debitorit, ka për detyrë t’i mbrojë të drejtat dhe interesat e të dyja palëve. Bëhet fjalë për një marrëdhënie obligacioni ku merren parasysh të drejtat dhe detyrimet e të dyja palëve në atë marrëdhënie. Por, mund të bëhet fjalë edhe për mbrojtje jo të duhur të të drejtave të qytetarëve në qoftë se gjatë lidhjes së atyre marrëveshjeve ka qenë prezent një avokat”, tha Mimoza Saltirova, avokate.
Por, a guxojnë shoqëritë financiare të konfiskojnë pronë, siç e bëjnë bankat? Saltirova thotë se kjo varet nga ajo nëse marrëveshja përmban klauzola ekzekutive. Por, edhe po të mos përmbante, në qoftë se ka vendim të plotfuqishëm atëherë mund të fillojë procedura e përmbarimit.
“Në vijim janë bërë disa ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Shoqëritë Financiare dhe pikërisht kjo është një nga pikat që duhet marrë parasysh – a do të mund shoqëritë financiare të procedojnë drejtpërsëdrejti me konfiskim apo për këtë do të duhet të zhvillohet një procedurë paraprake gjyqësore, në të cilën do të vërtetohet se debitori ka një borxh të caktuar që nuk është në gjendje ta shlyejë dhe pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit të nisë procedura e përmbarimit”, tha Jovan Andonovski, zëvendës i Avokatit të Popullit.
Sipas zëvendësit të Avokatit të Popullit, para se të merret një vendim i plotfuqishëm nuk mund të ketë konfiskim të pronës. Në zyrën e Avokatit të Popullit për çdo ditë vijnë ankesa, por ligji i kufizon vetëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në raport me institucionet shtetërore, prandaj i drejtojnë që të kërkojnë ndihmë juridike nga Ministria e Financave apo përmes gjykatës.






