Këngëtarët serbë vijojnë të influencohen nga muzika shqiptare. Kësisoj, së fundmi listës së artistëve shqipfolës që bien pre e “vjedhjes së këngëve” i bashkohet edhe Noizy me Loredanën.
Kënga “Heart Attack” që ishte një ndër hitet më të mëdha të verës që shkoi, thënë më saktë vija melodike e saj, është vjedhur komplet dhe pa të drejta autoriale nga rep artisti dhe youtuberi serb, Baka Prase.
E titulluar “MPQRC”, kënga e Bogdan Iliq, i njohur me nofkën skenike si Baka Prase, është një “diss” kundrejt pronarit të televizionit serb TV Pink, Zeljko Mitroviq, njofton Klankosova.tv.
E njëjta aktualisht numëron mbi 2 milionë klikime në YouTube dhe me mijëra komente. Por, në përshkrimin e këngës në këtë platformë nuk figuron askund autorizimi nga labeli “OTR Records” që mban autorësinë e këngës origjinale.
Përpos Noizyt dhe Loredanës, edhe kënga e Dhurata Dorës me Elvana Gjatën “Gajde” është ripërpunuar në muzikën serbe, veçse me korrektësi nga këngëtarja serbo-malazeze, Ksenia Knezeviç.
Muaj më parë, këngëtarja mjaft e kërkuar e momentit në Serbi, Tea Tairovic, kishte publikuar këngën “Dubai” e cila ishte ripërpunim i këngës “Leje” nga Ronela Hajati dhe Klement.
“Dubai” ishte mes hiteve më të dëgjuara në Serbi dhe ka arritur të grumbullojë afro 15 milionë klikime në YouTube, ndonëse u publikua bashkë me disa këngë të tjera si pjesë e albumit “Balkanija” të Tairovicit.