Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, Manastiri i Deçanit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit, kërkon marrjen në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh.
Kjo tokë, që ndodhet përreth këtij manastiri, në kadastër është e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko”, e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.
Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.
Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e zbatojnë as sot e kësaj dite, duke vlerësuar se kjo sipërfaqe u mor me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Nga Manastiri i Deçanit i thanë REL-it se në vitin 1997, manastirit, në fakt, iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, të cilët i janë marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.
Çfarë ka në këtë sipërfaqe dhe pse është e rëndësishme për Deçanin?
Përveç tokës bujqësore dhe pyllit, në këta 24 hektarë ndodhen edhe dy objekte hoteliere, me rreth 10 objekte të vogla përcjellëse, si dhe objekti i një ndërmarrjeje që në kohën e paraluftës njihej për prodhim të mjaltit.
Radio Evropa e Lirë i vizitoi këto objekte, të cilat, me kalimin e viteve, u dëmtuan dhe shkatërruan.
Rreth 500 metra larg Manastirit të Deçanit, i fshehur mes pishave të larta, ndodhet objekti i hotelit “Iliria”. Ky hotel ishte ndër më të njohurit e kësaj ane në vitet e 70-ta dhe 80-ta. Përveç që punësonte mesatarisht rreth 40 punëtorë, ai kishte fluks të madh vizitorësh, sidomos gjatë sezonit të verës.
Ky objekt – tani nën mëshirën e fatit – ndaloi së punuari në vitet ’90, kur regjimi i atëhershëm serb vendosi masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur shumë institucione dhe ndërmarrje.
Inventari dhe gjërat e tjera përcjellëse u vodhën apo u dëmtuan në masë të madhe pas luftës, më 1999.
Ndërkaq, objekti i bletarisë “Apiko” është i boshatisur dhe i rrethuar me tela. Aty ka vite që nuk ka shkelur këmbë punëtori. Që nga viti 1999, objekti i kësaj ndërmarrjeje është nën kujdesin e trupave të misionit paqeruajtës të KFOR-it. Hyrja në të është e ndaluar. Aty kanë punuar rreth 30 punëtorë deri në fillim të viteve të 90-ta.
Si shumë ndërmarrje të tjera, edhe “Apiko” ndaloi së operuari për shkak të tensionimit të situatës politike.
Të gjitha këto objekte dhe vetë objekti i Manastirit të Deçanit ndodhen brenda asaj që me ligj kualifikohet si Zonë e Veçantë e Mbrojtur dhe përfshin gjithsej 839 hektarë.
Për më shumë, në linkun e mëposhtëm e gjeni artikullin e përgatitur nga Radio Evropa e Lirë.




