Vuçiq para takimit me Pompeon: Nuk pres që amerikanët të ndryshojnë qëndrim për Kosovën

Siç tha Vuçiq, të shtunën në mëngjes, në Uashington, përveç me sekretarin e shtetit, Pompeo, do të takohet me këshilltarin e presidentit për Sigurinë Nacionale të SHBA, Robert O’Brien, të dërguarin e SHBA për Ballkanin, Mattheë Palmer dhe të dërguarin Special të SHBA për dialogun Beograd-Prishtinë Richard Grenel, dhe siç tha ai “të gjithë ata që vendosin për Serbinë”

Tema kryesore e bisedimeve në Uashington, siç tha Vuçiq, do të jetë Kosova, dhe do të diskutohen marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi ekonomik në mes të dy vendeve, shkruan Blici serb, transmeton lajmi.net.

Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq është ftuar në Uashington nga Komiteti Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike (AIPAC), në një takim që do të mbledhë rreth 18,000 pjesëmarrës e ku do të marrin pjesë edhe dy të tretat e anëtarëve të Kongresit Amerikan.

Vuçiq do të diskutojë mbi marrëdhëniet Serbi-Izrael, por edhe sfidat e politikës globale.

Ai gjithashtu tha se nuk do të jetë e lehtë të bisedohet me amerikanët, por se ai do të “luftojë për një pozicion më të mirë në Uashington”.

“Nuk duhet pritur që Shtetet e Bashkuara, as ndonjëri nga ‘lojtarët’ e tjetër ndërkombëtarë do të ndryshojnë qëndrimin e tyre për Kosovën. Por ne mund të përpiqemi të marrim një pozicion tjetër në sytë e Amerikës, nga ai që ishte deri më tani. Këto do të jenë takime të rëndësishme për ne”, tha Vuçiq. /