Ballkan i Hapur

Shkruan: Zef Zeka, Shkodër

Vendimi i Albin Kurtit detyrim i historisë. Jemi shumë të çuditur për jehonën e madhe madiatike që ka shpërthyer në vendin tonë, në mbrojtje dhe kundër kësaj nisme. Për mendimin tonë në mbrojtje janë ata që nuk njohin historinë shekullore të ngjarjeve të hidhura të këtyre shteteve kundër shqiptarëve, ngjarje të cilat u bënë shkak i gjakderdhjeve të përmasave të mëdha deri në luftëra të rangut botëror.
Fjalët e kryeministrit kosovar Albin Kurti lidhur me këtë problem, janë shumë të goditura ku thotë: “Kosova nuk merr pjesë, për aq kohë sa Serbia nuk pranon të shkuarën kriminale.” Pjesë e këtyre të panjohurave me historinë janë edhe disa gazetarë, që duke justifikuar për vlerat e kësaj nisme shprehen: “Ka një bashkëpunim të mirë mes nesh, në marrëdhënie ekonomike. Në kulturë, politikë dhe turizëm, kur këto janë detyrime të zakonshme mes gjithë atyre shteteve, që nuk janë në gjendje lufte mes tyre”. Kjo nismë për mendimin tonë është edhe njëfarë maske për të mbuluar paaftësitë e tyre drejt BE-së. Serbia nuk ishte dhe nuk është vetëm kundër kosovarëve, por dhe gjithë shqiptarëve në shumë shekuj, kjo e vërtetuar historikisht. Gjakderdhja më e tmerrshme në trojet shqiptare ka ndodhur nga Serbia 100 vjet para dominimit turk, kur 671 vjet më parë në vitin 1350, forcat terroriste të Stefan Dushanit dogjën Manastirin e Shën Marisë me gjithë foshnjat e lindura në djepe e me gjithë nënat e tyre, për asimilim fetar në zbatim të kodit antikatolik të Stefan Dushanit.
Vetëm në shekullin XX shqiptarët u përgjakën në 5 raste me humbje jete të përmasave të mëdha, një prej të cilave ajo në korrikun e vitit 1915 kundër zonës shqiptare të Dukagjinit, ku vetëm në zonën e Pultit në fshatin Plan humbën jetën 81 persona, për 4 ditë, 12-16 korrik, në përballje me forcat sllave.
Shqipëria për shumë shekuj ishte kthyer në një fushëbetejë. Përveç agresioneve të armatosura, serbët tentuan të pushtojnë Shqipërinë edhe me prapaskena djallëzore, të shtyrë nga padronët rusë. Kjo tentativë u vu në veprim në gushtin e vitit 1924, nga e ashtuquajtur “Marrëveshja Pashiç – Ahmet Zogu”, të cilën po e japim të plotë si dëshmi zyrtare dhe historike të pakundërshtueshme.
Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924
1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.
2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njeh dinastinë Karagjorgjeviq.
3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake do të njohë Ahmet Zogun si kryetar shteti… dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.
4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri kombëtare.
5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbajë qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.
6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rusë të ushtrisë së Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.
7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerët jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interesat e dy vendeve.
8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve.
9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë vendit.
10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit, që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.
11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojës dhe t`i bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinija Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave.
12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elementë të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.
13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.
14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë. Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t’i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria jugosllave do të ketë të drejtën të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual Italian ose grek.
15. Qeveria Shqiptare nuk mund t’i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventive të Jugosllavisë.
16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve.
(Marrëveshja Nikoll Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924)
Çfarë ndodhi 17 vjet pas kësaj marrëveshjeje djallëzore? Në malet e Dukagjinit vërshuan egërsisht një ushtri e paparë ndonjëherë në këto zona, me 2 divizione prej 20.000 trupash, në prill të vitit 1941. Pas 2 ditë udhëtimi ata u përqëndruan në zonën e Shoshit si qendër gjeografike e Dukagjinit, ushtri kjo e pajisur me mjetet luftarake më modern të kohës në kushtet e luftës malore.

Çadrat e kësaj ushtrie u vendosën jo më larg se 300m nga rrënojat e Shën Marisë, për të cilën bëmë fjalë më parë. Këto forca tani komandoheshin nga gjenerali serb Drazha Mihajllovic. Plaçkitja në pasuri dhe bagëti ishte shumë e madhe. Kur populli refuzoi këto vepra çnjerëzore, ata theren me bajoneta 5 burra të arrestuar duke u marrë jetën mizorisht. Pas këtyre akteve barbare populli i zonës u përball me këto forca duke shkaktuar një gjakderdhje të madhe në radhët e armikut me vrasjen e mbi 300 forcave ushtarake , ku pas luftës për varrosjen e tyre u mobilizua populli i zonës dhe skuadrat sanitare të ushtrisë të ardhura nga qyteti i Shkodrës.
Këto fakte besoj se justifikojnë më së miri shprehjen e kryeministrit kosovar. A nuk ishin serbët ata që pas luftës së dytë tentuan të kthenin Shqipërinë në një republikë të 7 të Jugosllavisë? Kjo e dëshmuar në historinë e kohës.
Pushtetarët e sotëm shqiptarë e kanë kthyer vendlindjen e shqipeve në vasal të ambasadorëve të huaj në Shqipëri. Në mediat shqiptare po shohim të shkruara fjalë fyese ndaj aftësive të popullit tonë për të vetëqeverisur. Kjo po na kujton kohën e luftës së parë botërore 1914 ku sherret e kësaj lufte e kishin zanafillën në Ballkan, ku me 7 mars të këtij viti Princ Vidi erdhi në Shqipëri për të sunduar këtë popull.
Pas gjithë këtij kalvari vuajtjesh a nuk paska fituar eksperiencë për të njohur kush janë miqtë e armiqtë e tij pa ia treguar të tjerët e sidomos ata që nuk kanë përjetuar dhunën e pushtuesve. Ambasadorja amerikane nuk është për të diskutuar aftësitë personale drejtuese të askujt. Kush është Sali Berisha, më mirë se çdo i huaj e dinë shqiptarët.
Ka disa njerëz të panjohur me historinë që për Sali Berishën diskutojnë moshën e pensionit. Këtyre u drejtojmë pyetjen: Çfarë moshe kishin Çurçilli, Rusvelti dhe Stalini që me veprat e tyre u bënë të famshmit e botës?
Përshtypje tepër të veçantë na bën shprehja e amerikanit Richard Grenell lidhur me nismën “Ballkani i hapur” ku thotë : Kosova gaboi. Në qoftë se kryeministri I Kosovës Albin Kurti paska gabuar, duke kujtuar tmerret e popullit të vet atëherë lind pyetja: A mos paska gabuar edhe NATO, Amerika dhe presidenti Klinton ndaj Millosheviçit?
Të kundërshtosh këto fakte na duket neve se është si të diskutosh të panjohurën. Kush na garanton që Serbia është tjetërsuar këto kohët e fundit nga kush ishte në shekuj? Këtë hapje mes këtyre 3 shteteve nuk mund ta quajmë rezultat, kur ato janë të mbyllura ndaj Europës.