Përleshjet kufitare në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë lënë të vdekur mbi 50 trupa ushtarake në të dyja anët.
Këto janë luftimet më të mëdha mes palëve, prej vitit 2020, kur lufta disaditëshe ka lënë mijëra njerëz të vrarë.
Mirëpo konflikti mes këtyre vendeve fqinje është i gjatë me dekada.
Pse ka armiqësi mes palëve?
Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për rajonin e Nagrno-Karabakut për më shumë se tri dekada.
Ky rajon malor është pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo është kontrolluar nga forcat etnike armene, që përkrahen nga Armenia, prej luftës separatiste që ka përfunduar më 1994.
Ky territor ka rreth 4.400 kilometra katrorë.
Përgjatë periudhës sovjetike, ky rajon i populluar kryesisht nga armenët, ka pasur status autonom brenda Azerbajxhanit.
Tensionet e vazhdueshme mes armenëve të krishterë dhe azerbajxhanasve myslimanë, datojnë prej vitit 1915 kur ka ndodhur masakra e 1.5 milion armenëve nga forcat otomane.
Për luftime është raportuar edhe në periudhën sovjetike.
Luftimet kanë shpërthyer më 1988 kur rajoni ka synuar që t’i bashkohet Armenisë dhe më pas më 1991, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Si pasojë e asaj lufte kanë vdekur rreth 30.000 njerëz dhe janë zhvendosur 1 milion të tjerë.
Pas përfundimit të luftës, përmes një armëpushimi më 1995, forcat armene jo vetëm që kanë kontrolluar Nagorno-Karabakun, por edhe zonat përreth.




