Vdes gjenerali serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë, Bozhidar Deliq

Ka vdekur ish-gjenerali ushtrisë serbe, Bozhidar Deliq, pak ditë pasi është emëruar si nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Deliqi kishte shërbyer në ushtrinë serbe përgjatë luftës në Kosovë dhe dyshohej për krime lufte në Kosovë.

Siç kishte treguar drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, brigada që kishte drejtuar Deliqi dyshohet se është përgjegjëse për vrasjen e 2 mijë civilëve në komunat e Suharekës, Rahovecit dhe të Gjakovës.

“Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka bërë kallëzim ndaj Bozhidar Deliqit dhe ndaj 10 personave të tjerë për krimet e kryera më 25 mars 1999-të në Tërrnjë të Suharekës. Në territorin nën përgjegjësinë e kësaj brigade janë kryer krime të shumta. Dhe ne kemi thënë që 2 mijë njerëz janë vrarë në komunat Suharekë, Rahovec dhe Gjakovë. Por, krimi më masiv është ai i Mejes, ku mbi 365 civilë shqiptarë u vranë nga forcat serbe. Në mesin e tyre ka vepruar edhe Brigada 549”, kishte deklaruar Blakaj. /express