Dy ditë pas ngjarjes tragjike në Himarë, ku një vajzë 7-vjeçare u vra nga një skaf, i cili drejtohej nga komisari i policisë, Arjan Tase në rrjetet sociale janë publikuar disa pamje të rënda, ku një person bën manovra të rrezikshme me motor uji.
Pamjet janë publikuar nga “JOQ” dhe thuhet se janë filmuar në plazhin e Shëngjinit edhe pse nuk bëhet e ditur se kur janë xhiruar.
Në video duket momenti, kur një person me motor uji bën manovra të rrezikshme, duke i rrezikuar jetën një pushuesi, i cili ishte duke notuar shumë afër bregut.
Dy ditë më parë, polici Arjan Tase, ish-shef i Komisariatit të Himarës vrau me skaf një 7-vjeçare në plazhin e Potamit pasi e futi mjetin lundrues në plazhin e mbushur me pushues. Dyshohet se skafi i Tases përdorej për trafik droge dhe e kishte në pronësi të tijën pavarësisht se me dokumente figuronte në emrin e dikujt tjetër.
Fillimisht AMP njoftoi se do të hetohej për “vrasje nga pakujdesia”, por prokuroria e Vlorës hodhi poshtë mbrojtjen e policëve ndaj kolegut të tyre duke e akuzuar për veprën penale “vrasje me dashje”.




