Ilir Meta i rikthehet politikës! Sot zhvillohet Konventa Kombëtare e LSI-së

Prej ditës së sotme Ilir Meta, ish-presidentit i Shqipërisë i rikthehet jetës politike.

Sot në orën 19:00 do të zhvillohet Konventa Kombëtare e LSI-së.

Zyrtare te kësaj partie kanë thënë se kjo Konventë do te shërbejë si pikënisje për ridimensionim të LSI, por edhe për të sjellë ndryshimin që i duhet opozitës në vend.

Pritet me interes fjalimi i Ilir Metes, ku do të shpalosë edhe aksionin e tij politik.

Më herët në rrjetet sociale ka deklaruar se do te nisë “Agimi i ri që do të rikthejë demokracinë dhe Llogaridhënien”.

Në 5 vite të mandatit të tij, Meta pjesën dërrmuese e pati, përballje dhe beteje me maxhorancën socialiste.

Betejat e tij ishin juridike dhe politike.

Meta është presidenti që i ka kthyer parlamentit më shumë ligje, 71 të tilla, nga te cilat vetëm 1 është marrë parasysh nga Kuvendi.

66 dekrete janë rrëzuar, 6 ligje janë pranuar pjesërisht, ndërsa 1 ligj ende nuk është shqyrtuar.

Përveç kësaj, Meta do të mbahet mend edhe për aktet e tij që asnjë president shqiptar nuk i kishte bërë më parë. Meta nuk dekretoi një ministër, zhdekretoi datën e zgjedhje dhe thirri një protestë kundër qeverisë.

Ilir Meta gjithashtu është i vetmi president që u shkarkua nga Parlamenti dhe që lirimin nga detyra ushtarake të pasardhësit te tij e bëri me një dekret të firmosur jashtë Shqipërisë.