Forcat ukrainase janë urdhëruar të tërhiqen nga Severodonetsk, sipas zyrtarit të lartë rajonal.
Qyteti lindor është përballur me javë të tëra bombardimesh, derisa forcat ruse përpiqen të marrin kontrollin e plotë të rajonit.
Ministria e Jashtme e Ukrainës ka publikuar një fotografi të ushtarëve ukrainas që janë kthyer nga fronti, për të cilët tha se pamja e tyre flet për atë që kanë përjetuar.
“Ushtarët ukrainas duke u kthyer nga vija e frontit në Severodonetsk. Pamja e tyre flet vetë”, thuhet në një postim në Twitter, shkruan Gazeta Express.
Kjo tërheqje ukrainase është e rëndësishme për rusët sepse do të linte të gjithë Luhanskun nën kontrollin rus, me përjashtim të qytetit të Lysychansk.

Luhansk, një rajon kryesisht rusofolës në Ukrainën lindore, është një prioritet kyç për presidentin Vladimir Putin.
Së bashku me rajonin e Donetskut, ai përbën atë që kolektivisht njihet si Donbas – një zonë e madhe industriale e cila ka qenë fokusi i një lëvizjeje separatiste të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014.
Presidenti rus pretendon në mënyrë të rreme se rusofolësit në Donbas kanë qenë viktima të gjenocidit – një justifikim kryesor për pushtimin e tij në Ukrainë, raporton BBC.
Nga ana tjetër, Ukraina akuzon Moskën për kryerjen e gjenocidit kundër popullit ukrainas me bombardimet dhe granatimet e saj pa dallim.

Ndërkohë, Rusia ka thënë se vendimi i liderëve të BE-së për të pranuar Ukrainën dhe Moldavinë si kandidatë për anëtarësim do të ketë pasoja negative.
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se BE-ja po sakrifikonte idealet e saj demokratike në kurriz të “zgjerimit të pakufizuar dhe skllavërisë politike dhe ekonomike të fqinjëve të saj”.
		



