Zjarr në klubin “Vanço Mihajllov” në Manastir! Reagime të ashpra nga Maqedonia dhe Bullgaria

Në orën 4 e 57 minuta, policia ishte e para që raportoi për zjarrin në Qendrën Kulturore bullgare “Vanço Mihajllov”.

“Në orët e hershme të mëngjesit nuk ka trafik, kështu që shumë shpejt mbërritëm dhe zjarri ishte lokalizuar menjëherë. Kishte zjarr në derën hyrëse të objektit“, tha Goran Dimkovski
zjarrfikës.

Pas informacionit të marrë, në Manastir nga Shkupi menjëherë mbërriti edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska.

“Shefi i policisë në Manastir më siguroi se janë ndërmarrë të gjitha masat në nivel të prokurorit kujdestar dhe specialistëve në kriminalistikë dhe se në afat sa më të shkurtër do të japin rezultate. Shpresojmë në punën e Gjykatës që të ketë epilog përfundimtar”, pohoi Teodora Gençovska,
ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Rasti në Manastir nuk do t’i prish raportet mes të dyja vendeve:

“Kjo do të jetë dëshmi se Republika e Maqedonisë së Veriut me të vërtetë angazhohet për të luftuar kundër gjuhës së urrejtjes“, tha Teodora Gençovska, ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Kreu shtetëror dënoi aktin. Presidenti tha se kjo nuk shkon në favor të marrëdhënieve dypalëshe, kurse kryeministri porositi se me zjarrëvënie nuk arrihet asgjë në shekullin 21.

“Kjo vepër nuk është kryer rastësisht pikërisht sot në ditën kur të dyja vendet do të zhvillojnë dialog në nivel të ministrave të jashtëm me qëllim për t’i tejkaluar çështjet e hapura”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

As në Bullgari nuk munguan reagimet e ashpra. Eurodeputeti dhe bashkë-kryesues i VMRO-së, Angell Xhambaski, paralajmëroi se do të dërgojë letër deri te KE dhe Presidenca franceze, lidhur me derën e djegur të Qendrës Kulturore “Ivan Mihajlov” në Manastir.

Zjarrëvënia në këtë qendër është vetëm një provokim tjetër dhe pjesë e fushatës masive anti-bullgare që filloi menjëherë pas hapjes së klubit, shkroi në Fejsbuk, zëvendëspresidentja Ilijana Jotova.

Qendra Kulturore në Manastir u hap para dy muajve nga ana e kryeministrit Kiril Petkov.