Arteta për largimin eventual të Lacazette: Situata me kontratën e tij ia lejon të bëjë për të ardhmen

Mikel Arteta ka folur në lidhje me situatën që po kalon francezi, Alexandre Lacazette, tek Arsenal.

Sulmuesi ditë më parë e konfirmoi se është duke biseduar edhe me klube të tjera, veçanërisht me Lyonin, për një kalim të mundshëm.

Kontrata e lojtarit skadon në verë të këtij viti, me palët që duket se nuk janë të interesuara për të rinovuar.

Një shenjë se 31 vjeçari ka ditët e numëruara në “Emirates Stadium” e dha pikërisht spanjolli që tha se lojtari është i lirë të mendojë për të ardhmen e tij.

“Situata me kontratën e tij e lejon që të mendojë për zgjidhje në lidhje me të ardhmen. Ne e kemi shprehur interesimin tonë për të folur me të në verë. Gjithsesi, tani për tani, unë e dua atë të fokusuar plotësisht në detyrën e tij që ta mbrojë Arsenalin në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi ai, transmeton lajmi.net.

Lacazette po vazhdon të jetë ndër më të kritikuarit në kampin e “The Gunners”, pas rezultateve jo të mira kohëve të fundit.

Gjatë këtij sezoni, lojtari realizoi vetëm katër gola dhe shtatë asistime në 25 paraqitje në Premier League.