Raftet nëpër markete ku qëndron vaji për gatim pothuajse janë të zbrazuara, ndërsa në disa markete fare nuk ka vaj.
“Vazhdon blerja vetëm e tre shisheve vaj nëpër të gjitha marketet. Nëpër markete mund të gjesh vetëm një lloj të vajit. Por, kishte edhe nga ato markete të cilat nuk kishin aspak vaj për gatim, i pyetëm se kur do të sillnin, por na thanë se nuk ishin të njoftuar ndoshta nesër ose ditët në vijim”, raporton gazetarja e TV21, Salije Sadiku.
E në njërin nga marketet që vizituam sot nuk kishte aspak vaj për gatim. Shitësja tha se që nga e enjtja nuk janë furnizuar me vaj.
“Gazetarja: Prej kur nuk keni?
Shitësja : Të shtunën nuk na sollën, hera e fundit kur kanë sjellë produkte ka qenë të enjte.
Gazetarja: PO tani farë të bëjmë ne?
Shitësja: Nesër do të kemi produkte, nëse mundesh kalo nesër në këtë kohë dhe pyet nëse kanë sjellë edhe vaj”.
Qytetarët thonë se vaj ka në disa markete por apelojnë që mos të blihet me shumicë, ndërsa nuk besojnë se çmimet do të ulen. Vaji më i lirë për gatim që pamë sot ishte 125 denarë për litër, ndërsa çmimet shkonin deri në 157 denarë.
“Ka gjithçka ka, vetëm se varet sa marrin me shumicë qytetarët, ka gjithçka, nëse dikush merr nga 1, 2 ose 3 sa i duhen do të ketë për të gjithë”.
“Jo jo nuk do të kthehen, do të vazhdojë kështu dhe çmimet do të mbeten të larta që të vijë deri në minimizim të situatës dhe çmimet do ti lënë të njëjta”.
Ditë më parë ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se për secilin blerës individual që do të blejë vaj luledielli për ushqim në objektet tregtare, gjatë ditës do të kufizohet shitja e sasisë së vogël në paketim të vetëm. Kufizimi për konsumatorët do të jetë i vlefshëm deri më 31 maj 2022./TV21




