Trajneri i Interit Simone Inzaghi është shfaqur në konferencë për shtyp para ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Milanit.
Interi do të takohet me Milanin në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë nesër, pasi ajo e para kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0:0.
Simone Inzaghi tha se e dinë rëndësinë e kësaj sfide dhe se ata janë gati.
“Ne e dimë rëndësinë e sfidës dhe çfarë përfaqëson ajo për ne. Vijmë nga tri fitore radhazi dhe jemi gati”, tha Inzaghi, përcjell lajmi.net.
Trajneri tha se ka dyshime për 11-shen startuese, por do të zgjedh më të mirët.
“Unë kam gjithmonë kaq shumë dyshime, çdo ditë. Kanë mbetur edhe dy seanca stërvitore dhe do të përpiqem të zgjedh më të mirët”, vazhdoi ai.
Inzgahi tregoi se synimi i Interit është të kalojë në finale të Kupës së Italisë.
“Nesër duam të fitojmë sepse synimi është finalja e Kupës së Italisë. Mund të kishim arritur më shumë paraprakisht, por momentet janë vendimtare”, tha në fund Inzaghi.
Ndeshja e dytë gjysmëfinale ndërmjet Interit dhe Milanit zhvillohet nesër me fillim nga ora 21:00.




