50 ditë luftë, Zelensky lavdëron ukrainasit

Fjalimi i fundit i presidentit Zelensky drejtuar kombit shënon ditën e 50-të të luftës dhe nderon mbrojtësit e Ukrainës.

“Njerëz të pathyeshëm të vendit më të guximshëm”, nis fjalimi i tij.

“Kemi rezistuar tashmë 50 ditë. 50 ditë pushtim rus, megjithëse pushtuesit na dhanë maksimumi pesë”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo periudhë, këto 50 ditë më kanë treguar shumë liderë botërorë në një mënyrë tjetër”, thotë ai, duke kujtuar bisedat dhe takimet e tij me shumë liderë perëndimorë.

“Kam parë politikanë që sillen sikur nuk kishin pushtet. Dhe kam parë jopolitikanë që kanë bërë më shumë në këto 50 ditë se disa shtetarë që pretendonin udhëheqje”, vazhdon ai.

Ai nuk përmendi hapur fundosjen e anijes së Rusisë Moskva, por vlerësoi trupat ukrainase “të cilat kanë treguar se anijet ruse mund të shkojnë vetëm në fund”.

“50 ditët e mbrojtjes sonë janë një arritje”, shton Zelensky.

“Arritje e miliona ukrainasve. Të gjithë ata që morën vendimin kryesor në jetë më 24 shkurt – të luftojnë. Të jesh njerëzor. Të mos dorëzohemi. Dhe të mos tradhtojmë”.