Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka mbajtur një konferencë për media.
Gjatë kësaj konference, u.d së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar se që nga viti 2011 kanë kundërshtuar pretendimet që ishin bërë kinse për trafikim organesh, e që dini se janë iniciuar qysh nga Carla Del Ponte, pretendime më pas të vazhduara gjithnjë me direktiva të Serbisë.
“Në atëkohë institucionet tona e kanë kundërshtuar dhe ka pas hetime hetime qysh në kohën e UNMIK-ut dhe Tribunali i Hagës, ka bërë hetime në thonjëza Shtëpinë e Verdhë dhe e kanë kuptuar s’ka këso pretendime. Ne atëherë si organizatë në 2011 kemi bërë një peticion ku kemi mbledhur nënshkrime, të cilat janë dërguar edhe në Këshillin e Evropës para se të miratohej ai raport.E dini se Gjykata Speciale, aktakuza që iu mveshet krerëve të UÇK-së dhe të tjerëve nuk e ka fare pretendimin e Dick Martyt se UÇK-ja gjoja ka bërë trafikim organesh dhe si i tillë institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë do të duhej të bënin më tepër.”, tha Klinaku, transmeton lajmi.net.
Tutje ai theksoi se edhe tani që Dick Marty thotë po kërcënohet nga Shërbimi Sekret serb për t’u vrarë, duan që këtë t’ia mveshin Kosovës.
“Edhe tani që ai po thotë se Shërbimi Sekret i Serbisë, ka tentuar që ta vrasë që t’ua mveshë shqiptarëve si vrasje, konkretisht shqiptarëve në Hagë. Sepse nuk është hera e parë që Serbia është munduar t’ua vesh shqiptarëve të gjitha të këqijat që i kanë bërë. Siç ishte rasti Panda, por edhe rasti i Martinoviqit me shishen e famshme që gjoja e bënë vet një gjë të tillë dhe mundohet t’ua mvesh shqiptarëve. Serbia vazhdimisht ka bërë këso inskenime dhe është munduar gjithmonë t’ua lë shqiptarëve. Në këtë rast nuk do të duhej të heshtnin as Qeveria, Kuvendi e as Presidenca, sidomos në këtë moment. Shteti duhet që tek ndërkombëtarët ta ngris si çështje, sepse kjo është një luftë kundër Kosovës. Ndërsa Shqipëria do të duhej të inicionte diçka qoftë në Këshill të Evropës, pra një rezolutë të re apo diçka të ngjashme.”, shtoi ai.
Klinaku theksoi se me rezolutën e re do të hidhej poshtë rezoluta e famshme ku Kosova ishte paraqitur si shtet kriminel.
“Me këtë rezolutë të re do të hidhte poshtë atë rezolutën e saj të famshme, sepse opinioni ndërkombëtarë me atë rezolutë e ka paraqitur Kosovën si shtet kriminel. Pra që Këshilli i Evropës t’i kërkoj falje Kosovës pas shpifjes që kishte bërë Dick Marty, e që në lajthitje ra edhe Këshilli i Evropës.”, përfundoi ai.