Përmes një video-lidhje, Zelensky mori pjesë në “Grammy Awards 2022”

Fenomeni i muzikës pop, Olivia Rodrigo dhe dyshja Silk Sonic dominuan në edicionin e 64-të të ndarjes së çmimeve, “Grammy Awards” – një mega koncert tre orë e gjysmë që kryesisht u shmang nga politika apo pandemia, me përjashtim të një mesazhi virtual nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe një dedikimi emocional për viktimat e pushtimit rus.

Në gjysmë të ceremonisë, nikoqiri i mbrëmjes prezantoi përmes një video-mesazhi presidentin ukrainas, Zelenskiy: “Edhe në kohët më të errëta, muzika ka fuqinë të ngrejë shpirtrat dhe të të japë shpresë për një të nesërme më të ndritshme. Nuk ka njeri që mund të përdorë pak shpresë tani më shumë se populli i Ukrainës”.

Në një video e xhiruar paraprakisht, një Zelenskiy dukshëm i ngjirur u shpreh duke thënë: Luftë. Çfarë është më e kundërta me muzikën?

“Heshtja e qyteteve të rrënuara dhe njerëzve të vrarë. Fëmijët tanë vizatojnë raketa fluturuese, jo yje që marrin çmime. Lufta nuk na lë të zgjedhim se kush do të mbijetojë dhe kush do të qëndrojë në heshtje të përjetshme. Muzikantët tanë veshin veshje të blinduara në vend të smokingëve. Ata u këndojnë të plagosurve në spitale, madje edhe atyre që nuk i dëgjojnë. Por muzika do të depërtojë gjithsesi.”, u shpreh Zelensky.

Zelensky lavdëroi bashkatdhetarët e tij duke thënë: Ne mbrojmë lirinë tonë. Të jetojmë. Të dashurojmë. Të tingëllojmë. Në tokën tonë, ne po luftojmë Rusinë që sjell heshtjen e tmerrshme me bombat e saj. Heshtja e vdekur. Mbushni heshtjen me muzikën tuaj! Mbushni atë sot për të treguar historinë tonë.

Ai iu kërkoi shikuesve të “Grammy Awards” që të mbështesin publikisht Ukrainën.

“Unë kam një ëndërr që ata të jetojnë. Dhe të lirë. Të lirë si ju në skenën e Grammyt.”, ka përfunduar ai.