U krahasua me Iniestën, ky është reagimi i Pedrit

Talenti që posedon shpeshherë ka lënë hapësirë krahasimi edhe me lojtarë të mëdhënj.

Për Pedrin, mesfushorin premtues të Barcelonës, krahasimet kanë ardhur deri aty sa ky i fundit u tha se ngjan me idolin e tij, Andres Iniesta.

Mënyra e të lëvizurit me topin dhe krijimi i hapësirave për bashkëlojtarët e ka krijuar idenë te ”Blaugranët” se tashmë është gjetur ylli i ri i mesfushës.

I pyetur për këtë krahasim, Pedri u përgjigj, shkurtazi, se këto komente i merr si një motivim shtesë për të.

“Është krenari të krahasohesh me idolin e fëmijërisë. Por, gjithsesi, është e vështirë të arrihet ajo që Iniesta bëri gjatë kohës së tij si lojtar. E marr si motivim shtesë këtë krahasim”, tha ai, shkruan Goal.com, transmeton lajmi.net.

Se Pedri mund të ketë të ardhme të ndritur e thotë edhe trajneri i tij te Spanja, Luis Enrique, i cili shpjegon se si u bind për t’ia bërë një ftesë 19-vjeçarit.

“I shikova videot e tij, atë që ai bënte. Duke marrë parasysh moshën e tij, ne konsideruam se ishte diçka speciale”, u shpreh ai.

Krahasimet e Pedrit me Iniestën filluan kur ky i fundit ende nuk e kishte “dëshmuar” veten në futbollin senior.

Ndër të parët që nxori këtë krahasim ishte trajneri aktual i Barcelonës, Xavi Hernandez, sipas të cilit Pedri ngjan shumë me Iniestën në shumë aspekte dhe se ka një të ardhme të ndritur përpara.