Petrovska dënon invazionin rus në Ukrainë, bën thirrje për integrimin e RMV-së në BE

“E dënojmë plotësisht invazionin rus në Ukrainë. Maqedonia e Veriut, së bashku me aleatët e NATO-s, e mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe sulmi nga Rusia është shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut në Ukrainë”, deklaroi ministrja e mbrojtjes Slavjanka Petrovska në tryezën e sotme të rrumbullakët në Institutin mbretëror RUSI (The Royal United Services Institute në Londër, Mbretëri e Bashkuar, me temë “Kërcënimet bashkëkohore të sigurisë dhe ndikimi i tyre në Ballkanin Perëndimor”.

Siç kumtoi Ministria e Mbrojtjes, Petrovska theksoi se lista e kërcënimeve të sigurisë sot është vërtet e gjerë me theks të shtuar në kërcënimet kibernetike dhe hibride. NATO – Aleanca, tha ajo, është e bashkuar dhe punon së bashku për të përballuar të gjitha kërcënimet e sigurisë.

“NATO ka një përgjigje të qartë ndaj të gjitha kërcënimeve të sigurisë – ne e rrisim gatishmërinë tonë për mbrojtje dhe parandalim dhe mbështesim përpjekjet ndërkombëtare për stabilitet dhe siguri në nivel global”, tha Petrovska.

Sipas Petrovskës, në këtë situatë të sigurisë në Evropë, rëndësia e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO është mjaft e qartë.

“Si politikanë duhet të kemi një pasqyrë të qartë që do të nënkuptojë hapat që po hedhim për të ardhmen e vendit. Sot është e qartë se sa i rëndësishëm është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO për sigurinë e qytetarëve dhe çfarë rëndësie kanë hapat e Qeverisë për realizimin e këtij qëllimi strategjik”, tha Petrovska.

Ministrja shtoi se në këtë drejtim është veçanërisht e rëndësishme që të përshpejtohet procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE sepse integrimi ka një element serioz të sigurisë.

“Në një moment të tillë sfidash të sigurisë është e nevojshme një perspektivë e qartë integruese e Ballkanit Perëndimor në BE dhe hapja e rrugës për negociatat e Maqedonisë së Veriut, e cila do të jetë një sinjal i fortë për sigurinë e rajonit”, theksoi ministrja e Mbrotjes.

Petrovska informoi se Maqedonia e Veriut, duke i angazhuar të gjitha institucionet e nevojshme dhe Qeverinë në tetor të vitit 2021 e miratoi Strategjinë për ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe përballjen me kërcënimet hibride dhe se ka vendosur bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe Bashkimin Evropian në këtë fushë.

Në tryezë mori pjesë edhe Xhonatan EJal, drejtor ndërkombëtar i RUSI, i cili tha se bota dhe veçanërisht Evropa po përballet me një krizë sigurie të paprecedentë në historinë e fundit të kontinentit dhe se arsyeja dhe ndërhyrja ushtarake duhet të zëvendësohen me bisedime dhe dialog të ndershëm. Ai, siç qëndron në kumtesën e MB-së, e përshëndeti qëndrimin e Maqedonisë së Veriut në dënimin e veprimeve ushtarake në Ukrainë në linjën e aleatëve, si dhe nevojën për përshpejtimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Instituti mbretëror RUSI është organizatë tink-tenk e pavarur e fokusuar në fushën e mbrojtjes. Instituti u krijua në 1831 dhe për gati dy shekuj ka qenë një platformë për diskutim dhe analizë të tendencave botërore të mbrojtjes dhe sigurisë.