Monedha kombëtare ruse ra në nivel rekord, pasi G7, apo grupi i vendeve më të industrializuara, vendosi sanksione të ashpra financiare kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Rubla ra të hënën në 114 kundrejt dollarit amerikan, krahasuar me 83.7 në fund të javës së kaluar.
Rubla ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj që nga fundi i tetorit, kur Rusia ka nisur të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.
Në fundjavë, G7 ka bërë të ditur se do të sanksionojë Bankën Qendrore të Rusisë dhe do t’i përjashtojë disa nga institucionet e saj më të mëdha financiare nga sistemi global bankar, i njohur si SWIFT.