Rusia ka nisur në orët e hershme të ditës së enjte ofensivën ndaj Ukrainës
Udhëheqësi i rajonit rus të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, thotë se ka dislokuar luftëtarët e tij në Ukrainë për t’u bashkuar në betejë me trupat ruse.
16:09 – Edhe dy vende ndalojnë hapësirën ajrore për linjat ruse
Estonia dhe Rumania kanë ndaluar linjat ajrore ruse nga hapësira e tyre, njoftuan vendet të shtunën.
15:29 – Ukraina thotë se ka rrëzuar pranë Kiveit një avion rus me parashutistë
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se ka rrëzuar pranë Kievit një avion transportues, duke vrarë një numër të madh parashutistësh rusë.
Ministria e Mbrojtjes në Kiev shkroi në një postim në Facebook se avionët luftarakë ukrainas Su-27 kapën një transportues trupash rus IL-76 MD rreth orës 00:30 me orën lokale të shtunën teksa po përpiqej të zbarkonte parashutistët në rajonin e Kievit.
Sipas specifikimeve të lëshuara nga prodhuesi, avioni mund të transportojë deri në 167 ushtarë, si dhe një ekuipazh prej 6-7 personash.
“Kjo është hakmarrje për Luhansk 2014”, shkroi në Facebook komandanti i ushtrisë së Ukrainës, gjenerallejtënant Valery Zaluzhny, duke iu referuar rrëzimit të një avioni ukrainas tetë vjet më parë, i cili vrau 40 parashutistë dhe nëntë anëtarë të ekuipazhit.
Zëdhënësi ushtarak rus Gjeneral Major, Igor Konashenkov pretendoi të shtunën se Moska nuk ka pësuar ende viktima gjatë pushtimit.
15:18 – Ukraina mohon pretendimet e Kremlinit se ka refuzuar negociatat
Ukraina ka mohuar të ketë refuzuar negociatat me Rusinë, ashtu si pretendoi Kremlini të shtunën.
Zyra e presidentit Volodymyr Zelensky, ka thënë se është e pavërtetë dhe se Rusia ka paraqitur “kushte të papranueshme dhe kërkesë për ultimatum”.
Sekretari i presidentit rus, Dmitry Peskov ka thënë se Putini ka urdhëruar ndaljen e avancimit rus por pasi Ukraina ka refuzuar negociatat, ka nisur sërish sulmet.
“Ukraina sigurisht nuk ka refuzuar negociatat. Negociatat nuk kanë ndodhur ende. Ukraina dhe presidenti Zelensky kategorikisht heq dorë nga çdo kusht i papranueshëm apo kërkesë për ultimatum nga pala ruse”, tha zyra.
15:03 – Ministri ukrainas: Propaganda ruse ka dalë nga binarët, nuk kemi armë bërthamore
Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, i ka mohuar deklaratat ruse se Ukraina po përgatitet të hedhë bombë atomike në territorin rus.
Kuleba përmes një statusi në Twitter ka thënë se ky është një lajm i rrejshëm, sepse siç ka thënë, Ukraina nuk ka armë bërthamore.
“Propaganda ruse ka dalë nga binarët dhe spekulon se Ukraina mund të përgatitet të hedhë një ‘bombë të pistë’ në territorin rus. Kjo është një shpifje e sëmurë. Ukraina nuk ka armë bërthamore, nuk kryen asnjë punë për t’i krijuar apo fituar ato. Ne jemi një anëtar përgjegjës i NPT-së”, ka shkruar Kuleba në Twitter.