Reagim nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë
Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë, reagon ashpër ndaj vendimit skandaloz të komisionit të letërsisë dhe veprimtarisë botuese të Konkursit vjetor të Ministrisë së Kulturës për vitin 2022.
Censorëve antishqiptar në këtë ministri, ua përkujtojmë se Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë, është ndër shoqatat e para joqeveritare kulturore shqiptare në Maqedoni, e cila sivjet shënon 30-vjetorin e themelimit! Dhe, në vend se ky përvjetor i rëndësishëm të shënohet në mënyrë sa më dinjitoze, censorët e kanë larguar nga programi manifestimin tonë tradicional letrar, i cili qe 30 vjet me radhë nuk është ndaluar, edhe në kohët më të këqija – “Takimet Poetike të Karadakut”, si i vetmi manifestim mbarëkombëtar që mbahet tradicionalisht në datën e shenjtë për shqiptarët, çdo 11 Mars!
Poashtu, janë anashkaluar edhe dy projekte botuese, mjaft të rëndësishme të letërsisë, siç janë monografia kushtuar 30-vjetorit të Klubit tonë, si dhe përmbledhja poetike e autorit të njohur Sunaj Raimi.
Për fat të keq, ky konkurs ishte përplot emra autorësh anonimë, me shoqata fantome pa kurrfarë bagazhi artistik, me libra, revista e manifestime letrare fare të padëshmuara në botën artit dhe kulturës.
Me këtë rast, e vlerësojmë aktin e njërit anëtar të komisionit që nuk e ka nënshkruar këtë program, meqë zatën një dorë shqiptare nuk mund të nënshkruajë një program të tillë nënçmues.
Kërkojmë urgjentisht nga Ministria e Kulturës që revidohet ky program vjetor bashkë me komisionin jokompetent të letërsisë dhe veprimtarisë botuese, edhe për faktin se ka indikacione të qarta se në ato vendime ka konflikt interesi të të paktën dy anëtarëve të komisionit (kryetares dhe një anëtareje), të cilat kanë ndarë miliona denarë për punëdhënësin e tyre.
Njëherit, censorëve ua bëjmë me dije, se pavarësisht vendimeve të tyre arbitrare, “Takimet Poetike të Karadakut” do të mbahet edhe sivjet dhe njëmijë vjet të tjera, pavarësisht tekave dhe tendencave të tyre dashakeqe.






