Greqia do të forcojë ushtrinë me avionë dhe fregata të reja

Parlamenti i Greqisë ka miratuar 3 marrëveshje për forcimin e Forcave të Armatosura.

Marrëveshjet u miratuan me mbështetjen e Partisë Demokracia e Re në pushtet dhe partive opozitare Lëvizja e Ndryshimit (KINAL) dhe Zgjidhja Greke. Njëra prej marrëveshjeve parashikon blerjen e 6 avionëve luftarakë “Rafale”, tjetra blerjen e 3 fregatave “Belharra” dhe e treta blerjen e 44 silurave për t’u përdorur tek nëndetëset.

Alexis Sipras, lideri i partisë kryesore opozitare SYRIZA në një fjalim në parlament kritikoi qeverinë për ndarjen e një buxheti të lartë për shpenzimet e mbrojtjes në një kohë kur inflacioni është në rritje. “Taksapaguesit grekë nuk do të japin çek të hapur për as edhe një euro”, tha ai.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis pretendon se marrëveshjet në fjalë do të rrisin fuqinë e armëve dhe rëndësinë gjeopolitike të Greqisë.